Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka lëshuar një paralajmërim për liderët botërorë se pandemia “nuk është afër fundit”.
Tedros Adhanom Ghebreyesus ka folur për supozimet se varianti i ri dominues Omicron është dukshëm më i butë.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Tedros u tha gazetarëve se varianti Omicron kishte çuar në 18 milionë infeksione të reja në të gjithë botën gjatë javës së kaluar, raporton “BBC”.
Ai tha gjithashtu që “mos bëni gabim, Omicron po shkakton shtrime në spital dhe vdekje, madje edhe rastet më pak të rënda po përmbytin objektet shëndetësore”.
Kreu i OBSH-së paralajmëroi udhëheqësit globalë se “me rritjen e pabesueshme të Omicron në nivel global, ka të ngjarë të shfaqen variante të reja, kjo është arsyeja pse gjurmimi dhe vlerësimi mbeten aspekte kritike”.
Kujtojmë se Franca raportoi gati gjysmë milioni raste të reja ditore.