Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, ka thënë se pas përfundimit të mandatit të EULEX-it, është koha që Kosova të marrë përgjegjësinë e plotë në sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Këto komente ai i bëri në konferencën “Drejtësia 2020”, ku u prezantua plani i përbashkët nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.
Ai ka deklaruar se lansimi i këtij plani dhe një rishikim funksional i sistemit të drejtësisë ndikojnë që Kosova të këtë sistem më efikas.
“Ka ardhur koha për Kosovën që të marrë përgjegjësinë e plotë, pas EULEX-it. Më vjen mirë të shoh tri institucionet sot në lansimin e procesit dhe bashkë me rishikimin funksional të drejtësisë ofron mundëi që Kosova të ketë një sistem më funksional dhe efikas. S’ka kohë për të humbur, qytetarët meritojnë drejtësi”.
“Është punë afatgjate dhe shumë me rëndësi që të ruhet një vizion afatgjatë. Ne mendojmë se ia vlen të investojmë paranë britanike për fuqizimin e drejtësisë. Dëshiroj t’i jap lamtumirën e fundit ambasadorit Delawie, Kosova nuk ka pasur mbështetës më të mirë në sundimin e ligjit”.
Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulos, deklaroi se kjo është iniciativë gjithëpërfshirëse që dëshiron ta bëjë sundimin e ligjit më llogaridhënës dhe transparent, raporton EO.
“Kjo do të mundësojë përparim të mëtejmë dhe do ta bëjë shoqërinë kosovare më të mirë. Ndryshimi i vërtetë mund të arrihet vetëm përmes kësaj”.
Cezary Michalczuck, shef i Sektorit të Sundimit të Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se janë të lumtur që Kosova po merr hapa për përmirësimin e sundimit të ligjit.
“Drejtësia 2020 do të këtë 72 masa, do të kompletojë disa procese si rishikimi funksional i drejtësisë. BE-ja mirëpret listën konkrete dhe mbështesim që kjo iniciativë të jetë e suksesshme. Ky është projekt që udhëhiqet vetëm nga kosovarët. BE-ja ofron mbështetjen e plotë për institucionet kosovare që nisma të jetë e suksesshme”.