O’Connell: Më vjen keq që ka ende kriminelë në politikë (Video)

Prishtinë | 08 Dhj 2016 | 00:00 | Nga

Ambasadori britanik, Ruairí O’Connell, ka thënë se në Kosovë është ndërtuar një kulturë e pandëshkueshmërisë dhe ka shprehur shqetësim për korrupsionin e madh që ka përfshirë zyrtarë të lartë.

“Më vjen keq se kriminelë ende ka në politikë”, ka thënë O’Connell, në emisionin “Betimi për Drejtësi” në RTK, duke iu referuar rasteve të aktakuzave dhe dënimeve të shqiptuara nga drejtësia, por të cilët individë ende vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre.

Ambasadori britanik ka vlerësuar se është e papranueshme që Këshilli Prokurorial funksionon me anëtarë pa mandat, dhe po ashtu ka ngritur shqetësime për Këshillin Gjyqësor, i cili ka ndërruar rrugës kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për gjykatës.

O’Connell ka thënë se monitorimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka identifikuar shkelje të ligjit nga prokurorët dhe gjykatësit, të cilët nuk janë mbajtur përgjegjës dhe kjo sipas tij paraqet shqetësim serioz.

Mungesa e transparencës së prokurorive dhe gjykatave për të ofruar qasje në dokumentet që janë të qasshme sipas ligjit, sipas O’Connell, paraqet shqetësim serioz.

Ai ka kërkuar “dritë” për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e gjykatësve dhe prokurorëve.

Në këtë drejtim, ai ka përkrahur idenë që Zyra e Prokurorit Disiplinor të kalojë edhe tek Ministria e Drejtësisë, gjithnjë duke u siguruar që të funksionoj si institucion i pavarur.

Ambasadori O’Connell ka thënë se është koha kur duhet të përfundojnë premtimet dhe të dëshmohen rezultate konkrete të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme