Oda Ekonomike Amerikane ishte nikoqire e përfaqësuesve të fondit River Styxx Capital me seli në Sofje të Bullgarisë, që drejtohet nga Elvin Guri, i cili njëherit është edhe investitor i mirënjohur nga Shqipëria që operon në Bullgari.
Gjatë takimit u diskutua për interesimin e kompanisë River Styxx Capital për investime në Kosovë në sektorë të ndryshëm që ofrojnë mundësi për investime.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, mirëpriti interesimin e z.Guri dhe të kompanisë së tij për shtrirje të investimeve edhe në Kosovë, derisa e konsideroi si shumë pozitive për tërë rajonin edhe përfshirjen e kësaj kompanie në telekomin shqiptar.
Kompania River Styxx Capital së fundmi ka shtrirë praninë edhe në sektorin e telekomit në Shqipëri, pas marrëveshjes së arritur për blerjen e Telekom Albania.