Oda e Afarizmit thotë se ka pranuar me shqetësim vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për vendosjen e tarifës për dezinfektim të mjeteve në hyrje të Kosovës dhe kërkon heqjen e saj të menjëhershme ose që kostoja e saj të mbulohet nga shteti.
Bizneset anëtare të sektorit të transportit kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimin e MPBAP, i cili nga data 01.60.2020, obligon këto biznese që të paguajnë tarifa shtesë për kamionët që hyjnë në Kosovë.
Sipas këtij vendimi, kërkohet dezinfektimi i të gjitha mjeteve të rënda që hyjnë në pikat kufitare në territorin e Kosovës si masë mbrojtëse.
Në këtë rast, biznesi i kontraktuar nga ministria ka paraqitur disa tarifa të larta, duke filluar nga 17 euro deri në 22 euro, varësisht nga pesha e mjetit.
Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të largohen këto tarifa, sepse konsiderohen shumë të larta për bizneset, e sidomos tani duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike që po hasin.
OAK konsideron se tarifën për dezinfektim duhet ta merr përsipër shteti pasi biznesi Kosovës është i mbingarkuar me taksa dhe tatime të ndryshme.
Gjithashtu, sipas këtij vendimi kërkohet dezinfektimi i mjetit në hyrje të Kosovës, ku shumë transportues që qarkullojnë më shumë se një herë brenda ditës në hyrjet e Kosovës do të detyrohen të paguajnë të njëjtën tarifë për secilën hyrje-dalje.
Kuptojmë që ky vendim është bërë për parandalim të përhapjes së COVID-19, por duhet të kemi parasysh që këto tarifa po ju vështirësojnë punën bizneseve të cilat kanë pasur rënie financiare.