Oda e Fizioterapeutëve dorëzon kërkesë te Avokati i Popullit për ta dërguar Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 02 Shk 2023 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK), në kuadër të përgjegjësive për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave profesionale të fizioterapeutëve, ashtu si promovimin dhe mbrojtjen e veprimtarisë së profesionistëve shëndetësorë në institucionet publike dhe private, ka shqyrtuar dhe përfaqësuar kërkesat e anëtarëve në lidhje me Ligjin për Paga që nga faza e hartimit e deri në fazën e miratimit të tij. Fatkeqësisht, vërejtjet dhe komentet e dërguara nga Oda që kishin për qëllim respektimin e të drejtave të profesionistëve dhe profesionit të fizioterapisë, nuk u morën parasysh.

Si rezultat, me vendim të Këshillit Drejtues të OFTK-së, përkitazi me ankesat mbi çështjen e trajtimit të profesionit të fizioterapisë dhe fizioterapeutit si bartës i këtij profesioni, lidhur me Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës sot më datë 02.02.2023, ka parashtruar në Institucionin e Avokatit të Popullit kërkesën për inicimin e procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit në Gjykatën Kushtetuese.

Ky Ligj është diskriminues, nënçmues për profesionin e fizioterapisë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

Andaj, kërkojmë nga Institucioni i Avokatit të Popullit adresimin e kërkesës sonë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të eliminohet pabarazia dhe diskriminimi i profesionit të fizioterapisë (ulja e pagave të fizioterapeutëve).

Ashtu siç ju kemi premtuar, OFTK nuk do të ndaloj së angazhuari në betejen e saj ligjore për të mbrojtjen e interesave, vlerave dhe të drejtave të profesionistëve dhe profesionit të fizioterapisë.

Kërkesën për inicimin e procedurës së vlerësimit të kushtetueshmërisë Ligji Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit, nëpërmjet avokatit të autorizuar mund ta gjeni në web faqen e OFTK-së.

Të ngjashme