Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës përmes një komunikate për medie masat e reja të marra nga Qeveria kundër parandalimit të Covid-19 i ka cilësuar të ngutshme
Ata nuk kanë përjashtuar as protestat si formë e reagimit ndaj këtij vendimi.
“Vendimet e tilla pa ndonjë analizë të terenit, jo vetëm që po shkaktojnë frikë dhe ankth te qytetarët, por për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë po sjellin frikë dhe pasiguri duke u cilësuar si sektori më i diskriminuar dhe më pak i ndihmuari nga Qeveria që nga marsi kur edhe u krijua situata e pandemisë nga virusi COVID 19, e posa po alarmohet situata të parët që po atakohen janë hotelierët dhe gastronomët”.
Njoftimi i plotë:
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës sërish reagon kundër vendimit të Qeverisë për mbylljen e bizneseve hoteliere dhe të gastronomisë në vikend, duke e cilësuar si vendim të ngutshëm dhe pa konsultime, pavarësisht se gjatë takimeve me zyrtarët e Ministrive përkatëse me theks të veçantë takimin me Zv. Kryeministrin Tahiri ku ishim dakorduam se për çdo masë të re do të konsultoheshim së bashku.
OHTK-ja gjithashtu e cilëson jo profesional komunikatën për media të krerëve qeveritarë ku paralajmrimi për mbyllje u komunikua vetëm 7 orë para hyrjes në fuqi të masave të reja, duke shkaktuar panik dhe frigë jo vetëm te hotelierët dhe gastronomët, por edhe te të gjithë qytetarët në përgjithësi.
Vendimet e tilla pa ndonjë analizë të terenit, jo vetëm që po shkaktojnë frigë dhe ankth te qytetarët, por për sektorin e hotelierisë dhe gastronomisë po sjellin frigë dhe pasiguri duke u cilësuar si sektori më i diskriminuar dhe më pak i ndihmuari nga Qeveria që nga marsi kur edhe u krijua situata e pandemisë nga virusi COVID 19, e posa po alarmohet situata të parët që po atakohen janë hotelierët dhe gastronomët.
OHTK-ja apelon te Qeveria që gjatë kësaj kohe sa është rritur numri i të infektuarve, shqetësim që e kutpojmë të gjithë, të analizojë mirë situatën në teren, duke u bazuar në shumë faktorë e jo vetëm në numra statistikorë, gjithashtu duke pasur edhe një plan konkret që pavarësisht mbylljes, bizneset hoteliere dhe të gastronomisë do të ndihmohen të rimëkëmben posa situata të stabilizohet, e jo të detyrohen ta kalojnë krizën me forcat e veta tash më të dobësuara, si dhe duke i lënë të funksionojnë pa ndonjë strategji dhe plan të së ardhmes se çka do të ndodhë me bizneset e tyre ditëve në vijim.
OHTK-ja ka dorëzuar manualin e përdorimit në Qeveri, ka dhënë sygjerim që të formohet një TASK forcë e përbashkët qeveri – biznese, ka bërë reagime të shumta dhe do të vazhdojë të reagojë, por siç po shihet kjo nuk po mirret parasysh, andaj nëse situata vazhdon me ritëm të tillë, OHTK-ja nuk i përjashton edhe protestat.