Oda e Hotelerisë së Kosovës, ka paralajmëruar mosrespektim të masave eventuale të cilat kufizojnë punën e tyre, duke kërkuar që sallat e dasmave të hapen në fillim të muajit prill, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie të mbajtur të premten përfaqësues të kësaj ode kanë thënë se do tu kundërvihen këtyre masave, duke paralajmëruar edhe protesta.
“Në bazë të informatave që kemi, janë paralajmërimet që do shtrëngohen masat, dhe me mbledhjen e Këshillit jemi dakorduar që edhe ne t’i kundërvihemi këtyre masave nëse veçse aprovohen”, tha kryetari Hysen Sogojeva.
Ai ka kërkuar që sallat e dasmave që janë të mbyllura që nga marsi i vitit të kaluar të hapen nga muaji prill.
“Nga terreni që kemi qenë në shumë regjione kemi marrë aprovimin e tyre që këto masa që ne i marrim kanë me qenë të realizueshme për gjitha bizneset, andaj ne kërkojë që mos të ketë kufizim të orarit, sallat e dasmave qe nga marsi i vitit të kaluar nuk kanë punuar nga java e prillit të nisin punën në bazë të rregullave”, tha Sogojeva
Ai tha që reagimet do ti kenë shumë të ashpra, qe nga protestat por edhe në mënyra tjera, dhe që kësaj here nuk do lëshojnë pe.
Ndërsa, Skënder Thaçi, nënkryetari i Odës tha që janë lodhur nga krejt këto masa dhe mbyllja nga ana e institucioneve.
“Jemi bërë tabelë shitëse e institucioneve, dhe ne jemi kontribuues dhe po mbushim buxhetin e shtetit tonë, dhe është fyerje për ne aplikimi i këtyre masave. Ne nuk jemi vatër e infeksionit, dhe boll na keni marrë frymën”, tha Thaçi.
Paralajmërimin për shtrëngim të masave e ka kundërshtuar edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.