Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka shpallur zgjedhjet për legjislaturën e tretë e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Këtë proces do ta udhëheqin tre anëtar të Komisionit Zgjedhor: Adem Nura, Shaban Osmanaj dhe Arbnora Duriqi.
Nura në cilësinë e kryetarit, ka bërë të ditur se zgjedhjet do të mbahen me 1 dhjetor dhe të drejtë kandidimi kanë të gjithë anëtarët.
“Në emër të Odës së Mjekëve, të organizatës që përfaqëson mjekët mund të komunikojmë organizimin zgjedhor për regjistraturën e tretë të Odës së Mjekëve. Andaj në mbështetje të dispozitave të Ligjit për profesionistë shëndetësor, KQZ në mbledhjen e mbajtur vendosi shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Odës së Mjekëve do të mbahen me datën 1 dhjetor”.
“KQZ inkurajon anëtarët që kanë statusin e anëtarit të Odës me të gjitha të drejtat që të ushtrojë të drejtën e votës dhe për tu zgjedhur në mënyrë që të bëhet pjesë e Odës së Mjekëve. Në emër të KQZ i uroj të gjithë anëtare për një proces të rregullt”.
Kuvendi është organi më i lartë i Odës i cili ushtron të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit të parapara me ligj dhe statut. Kuvendi i Odës përbëhet nga 134 anëtar
Anëtarësimi në OMK është obligativ për të gjithë doktorët e mjekësisë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës.
Mandati i anëtarëve të organeve të Odës është katër vjet, me të drejtë të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.
OMK është organizatë e pavarur e cila mbron dhe përfaqëson interesat profesionale të anëtarëve të saj, e cila siguron standardet e larta të kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore.
OMK po ashtu promovon dhe mbron veprimtarinë e profesionistëve shëndetësor në institucionet shëndetësore publike dhe private, si dhe siguron edukimin e vazhdueshëm profesional me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore sa më cilësore dhe shërbimeve tjera që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor.