“Oda Ekonomike austriake i ka kërkuar sqarime Kurtit dhe ministrave të tij, por asgjë”, arkitekti Geci flet për dilemat në projektin “Kasolla” në Batllavë

Prishtinë | 10 Mar 2023 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

“Kam provuar edhe prej Odës Ekonomike të Austrisë me i kontaktu, i ka shkruar email (Oda Ekonomike e Austrisë), Rozeta Hadajrit, Albi Kurtit e Liburn Aliut… Ka kërkuar sqarime, pasi ata nuk ndikojnë në punët e shtetit, por nuk kanë kthyer asnjë përgjigje”.

Kështu ka thënë arkitekti, Visar Geci, i cili gjatë kohëve të fundit është hasur në disa dilema në projektin “Kasolla” në Batllavë, duke theksuar se ka kërkuar edhe nga ambasada austriake pasi është nënshtetas i Austrisë, kështu cilësohet investitor i huaj.

Akuza ndaj drejtorit të Urbanizmit në Podujevë për pengim të dhënies së lejeve të ndërtimit
Geci, ka akuzuar drejtorin e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, Leutrim Krasniqi, se ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në vendimet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Arkitekti Geci, ka aplikuar për leje ndërtimi të vilave në Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore (APRL), nga e cila sipas tyre kanë marrë lejen zyrtare për realizimin e projektit në Batllavë.

Sipas tij, Krasniqi ka ndërhyrë si drejtor i urbanizmit me falsifikim të informacionit në Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), e cila “ka pranuar të ndikojë në lejen e ndërtimit”.

Ai ka shpjeguar se Krasniqi, drejtori i Urbanizimit në Komunën e Podujevës, i ka dërguar email ku thotë “sipas informatave jozyrtare si Ministri kemi dëgjuar se Visar Geci po aplikon për leje ndërtimore, ju lutem ja refuzoni lejen sepse nëpër zonat pyjore nuk lejohet ndërtimi”.

Sipas Gecit, drejtori Krasniqi ka bërë falsifikim të informacioneve zyrtare, pasi me ligj duhet pyetur ARPL-ja (që nga ana e tyre Geci ka përgjigje pozitive), më pas Ministria dhe në fund vije Komuna.

Ai theksoi se kjo që po bëhet nuk është vetëm në dëm të tij, por, edhe për Kosovën pasi investitorët e huaj po “tmerrohen”.

“Kjo nuk është keq vetëm për mua, por edhe për Kosovë, pasi investitorët e huaj po tmerrohen dhe po frikësohen, kur mua ma bëjnë këtë pse dikush ka me ardhë më investu në Kosovë”, ka shtuar ai./Dukagjini

Të ngjashme