Kryetari i Komisionit të Serbisë për persona të zhdukur, Velko Odaloviq ka thënë për FoNet se në dy lokacione të fshatit Medevce, në komunën e Medvegjës, në të cilat u bënë gërmime me dyshimin për varreza masive, nuk është gjetur asgjë.
Ai ka shtuar se sot, me kërkesë të Kosovës, do të verifikohet edhe lokacioni “Jalovishte”, te Rashka, transmeton Koha.net.
“Në lokacionet në Medevce është gërmuar sipas informatave se aty gjendeshin varreza masive e urdhrin për gërmim e kishte dhënë Prokuroria e Serbisë pas kërkesës nga Kosova”, ka thënë Odaloviq.
Sipas fjalëve të tij, në verifikim kanë marrë pjesë përfaqësues nga delegacioni i Kosovës, të organizatave ndërkombëtare dhe persona nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq për persona të pagjetur.
Në fund ai ka thënë se pret që edhe Kosova të gërmojë në lokacionet ku Serbia dyshon të ketë varreza masive.