Kushte primitive në shkollat shqipe në Medvegjë

Prishtinë | 23 Maj 2017 | 17:47 | Nga

Shumica e mësimdhënësve të cilët u mbajnë mësim nxënësve në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë të Medvegjës, kanë të kryer vetëm shkollën e mesme. Përveç kësaj mësimi bëhet në kushte të rënda johigjienike.
Shkolla është 9 vjet pa ujë. “Nuk kemi kushte as për t’i kryer nevojat personale”, thotë Fadil Mustafa për gazetën Danas, transmeton Klan Kosova.

Shkolla fillore “Zenel Hajdini”, në komunën e Medvegjës, në fshatin Tupallë, ku jetojnë banorë me kombësi shqiptare, qe 9 vjet nuk kanë fare ujë dhe as tualete. Kushtet ku nxënësit përcjellin mësimet, janë kushte shumë të rënda johigjienike.

Për gazetën Danas arsimtari i kësaj shkolle Fadil Mustafa, ka thënë se “këso lloj kushte nuk ekzistojnë askund në botë”.

“Nga viti 2008 nuk kemi ujë në shkollë. Për 1 maj, pas 9 viteve, është sjell një cisternë, e cila qëndroi aty deri sa u harxhua. Tani jemi përsëri pa ujë”.

Sipas tij, pushteti lokal nuk kujdeset aspak dhe nuk reagon ndaj thirrjeve të shumta për këtë problem.

“Nuk kemi kushte të shkojmë në tualet. Ajo që tek ne është vend për të kryer nevojën nuk besoj që ekziston diku në botë. Nëse kemi nevojë fiziologjike t’i përdorim tualetet, neve na duhet të shkojmë në shtëpitë tona”.

“Ata që nuk i kanë shtëpitë afër, që nuk jetojnë afër shkollës, çfarë të bëjnë?”, vazhdon Fadil Mustafa.

Ai tregon gjithashtu se në shkollë ka rreth 20 mësimdhënës dhe se vetëm 4 prej tyre janë të kualifikuar.

“Vetëm katër arsimtarë jemi të kualifikuar, të tjerët punojnë me shkollë të mesme, ashtu i mësojnë nxënësit “.

Shkolla nuk ka drejtor që nga viti 2009 dhe Mustafa është ushtruesi i detyrës që kryen këtë funksion.

“Në këtë mënyrë ne jemi të bllokuar. Momentalisht drejtorit i ka kaluar mandati i ushtruesit të detyrës që dy muaj. Në një kohë edhe unë e kam qenë ushtrues detyre i drejtorit. Gjatë kësaj kohe kam shkuar në Komunë dhe jam ankuar, por nuk ka pasur asnjë efekt”.

Në fund, Mustafa thotë se qeveria lokale punon me urdhrat e Qeverisë së Serbisë dhe nuk ka ndonjë shenjë pozitive që në një të ardhme të afërt kushtet për nxënësit e kësaj shkolle do të përmirësohen. Kryetar i Komunës së Medvegjës është Nebojsha Arsiq nga Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Në shkurt të këtij viti, shefi i Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë, Zoran Stankoviq, deklaroi se buxheti i tërësishëm për tri komunat në jug të Serbisë për vitin 2017 do të jetë 261 milionë dinarë (2.1 milionë euro).

“Buxheti është rritur për 5.2 milion dinarë (42.000 euro) dhe në këtë buxhet nuk hyjnë mjetet tjera shtesë të cilat i jep Trupi Koordinues për këto tri komuna, siç janë mjetet në formë burse (diku 415 bursa), furnizimet falas për shkolla, si dhe subvencione tjera të ndryshme“, tregon Stankoviq, duke shtuar se 96 për qind i buxhetit të vitit të kaluar është realizuar sipas planit.

Kryetari i Komunës së Medvegjës, Arsiq, është shprehur se pritet që paratë në vitet e ardhshme të shpërndahen sipas disa kritereve që do të krijohen në një të ardhme të afërt.

Sipas ligjit, Ministria e Arsimit nuk është kompetente për mirëmbajtjen dhe investimet në shkollat fillore. Kjo është përgjegjësi e autoriteteve lokale.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme