Oda Ekonomike e Kosovës, ajo Amerikane dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës janë shprehur të shqetësuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal për mosfurnizimin e rregullt me energji elektrike për bizneset, raporton Ekonomia Online.
Ata kërkuan që ZRrE të japë llogari para deputetëve të Kosovës dhe të shtyjnë afatin për hapje të tregut të energjisë për të krijuar kushtet e duhura për liberalizim e mirëfilltë të tij.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha se brenda një viti dy palët duhet të ulen dhe të shohin mundësitë e furnizuesve të energjisë.
Ai tha se kërkesat që po parashtrojnë duhet të merren parasysh pasi arsyetoi se nga totali i energjisë që shpenzohet nga të gjithë në vend, 70 për qind paguhet nga bizneset e vetëm 30 për qind nga amvisëritë.
“E dijë që ZRrE është autoriteti vendimtar sa i përket përcaktimit të rregullave në tregun e energjisë por funksioni i saj është edhe mbrojtja e konsumatorit që pjesa më e madhe janë bizneset. Të gjithë duhet me u siguruar që ZRrE është në këtë rol pra në mbrojtjen e konsumatorit”.
“Ka pasë një komunikim me bizneset por nuk ka pasë një proces për të informuar bizneset se çka i pret. Ne nuk mund të presim që me një faqe të dimë se çka i pret. ZRrE na akuzon se nuk kemi qenë shumë aktivë në diskutime publike”.
“KESKO në komunikimet me operatorët ju ka thënë në mënyrë transparente që në kushtet kur këta nuk munden me shitë rrymën e rregulluar kërkohet që të furnizohet nga importi që kostoja është 30-40 për qind më e shtrenjtë. Janë 400 mijë euro më shumë për me paguar për energji. Janë dy zgjidhje, mbyllja e fabrikave ose zhvendosja në Maqedoni”.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomie Amerikane, tha se rregullat e reja dhe pakoja për energjinë elektrike krijojnë disbalancë në burimet e energjisë.
“Edhe OEK edhe OEAK janë të renduara me një qëndrim. E para është eliminimi i kufizimeve të vetë konsumit. Ne besojmë se rregullat momentale dekurajojnë për burime të reja energjetike. Është në interes të vendit për të krijuar një bilanc sa i përket burimeve të energjisë elektrike”.
“E dyta është çështja e liberalizimit të tregut. Duke besuar në atë se nuk ka kushte të tregut atëherë ZRRE në mision duhet ta ketë shërbimin e interesave të publikut duhet ta marrë në konsideratë këtë kërkesë tonën”.
Vllaznim Osmani, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, tha se kufizimet që ZRrE-ja i ka vendosur në vitin 2017 për gjenerim sipas rregullores janë jo të drejta, raporton EO.
Përfaqësues i ZRrE-së, Arsim Janova përsëriti që ajo çka ka bërë ZRrE-ja deri më tash ka qenë vetëm sipas ligjit dhe vendimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se ftesën nga odat nuk e ka pranuar pasi sipas tij, ato kanë qenë në formë akuze e jo diskutimi.
“Ftesa kur na ka ardhur na ka ardhur si një akuzë dhe për këtë arsye nuk kemi pranuar me u taku. Para dy vitesh 8 për qind e kemi zbrit tarifat për bizneset kurse vjet 5 për qind duke dashtë me ulë diferencën mes bizneseve dhe amvisërisë. Por hapja e tregut do diktojnë eliminimin e këtyre diferencave sepse vet tregu përcakton çmimet”.
“Bazuar në ligjin, rregulloren, ne në janar të 2017 kemi nxjerrë një udhëzues për liberalizim të rrymës elektrike. Kemi parapa jo menjëherë me i qitë në treg. Duke pasë parasysh se nuk e kemi tregun e gatshëm kemi shkuar me tension të lartë në 220, kurse në tensionin 110 prej një prilli 2017 i kemi qitë në treg”.
“Për tension 35 kemi menduar që në 2018 t’i qesim në treg por meqenëse në treg nuk patë kuorum për vendimmarrje ne morëm vendim që ta shtyjmë për këtë vit. Kërkesa e 14 kompanive është të shtyhet edhe për një vit me arsyetimin se tregu nuk është duke funksionuar”.
“Çka kërkohet me ligj i kemi krijuar kushtet. Ne si rregullator nuk ka dyshim që ne me ligj jemi të detyruar të zbatojmë ligjin. Ky proces nuk është se kemi vendosë menjëherë t’i qesim, jemi sipas ligjit. Ne KEK-un e kemi rregulluar qysh në 2017. Ne nuk e rregullojmë çmimin e tyre kanë ata që e bëjnë. Rritja e çmimit nga KEK-u reflekton drejtpërdrejt në tarifa”.
Komisioni nuk mundi të votonte për shtyrjen e afatit për hapje të tregut të energjisë për të krijuar kushtet e duhura për liberalizim të tij, për shkak se nuk pati kuorum.