Ndërmarrjet kosovare vlerësojnë pozitivisht përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për kompletimin e reformës fiskale, si dhe masat e reja fiskale që kanë hyrë në fuqi viteve të fundit, vlerëson Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) përmes një komunikate për medie.
Duke qenë që mjedisi fiskal është njëri ndër faktorët kryesorë që ndikojnë te bizneset dhe aftësinë e tyre konkurruese, OEAK inkurajon Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës që të vazhdojnë me masa të reja, përfshirë edhe zhvendosjen e mbledhjes së brendshme të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të paralajmëruar të fillojë nga 1 janari 2019, transmeton Ekonomia Online.
“Sipas anketës së Pulsit të Sektorit Privat mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të kryer nga Oda Amerikane me mbi 500 biznese anembanë Kosovës, rreth 65% të bizneseve të anketuara shprehen të kënaqura me mjedisin fiskal. Kjo do të jepte përgjigje në kërkesat e kahmotshme të bizneseve për heqjen e kësaj ngarkese tatimore mbi bizneset. Në të njëjtën kohë, zhvendosja e mbledhjes së brendshme të TVSH-së është rekomanduar edhe nga organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat në Kosovë.
“Vlerësimi pozitiv i sistemit fiskal në vitin 2018 përbënë një të arritur të rëndësishme duke pasur parasysh që vetëm 4 vite më parë, rreth 60% e bizneseve janë shprehur të pakënaqura me mjedisin fiskal, në një hulumtim të ngjashëm të kryer me ndërmarrjet që operojnë në Kosovë në kuadër të studimit Gjendja e Biznesit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Në të njëjtën kohë, reforma në mjedisin afarist dhe në mjedisin tatimor ka marrë edhe vlerësimin më të lartë nga ana e bizneseve për sa i përket performancës së institucioneve shtetërore, duke dëshmuar kështu një ndërlidhje ndërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet sektorit privat dhe sektorit publik në Kosovë.
Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit edhe kërkesën e saj të mëhershme për riaktivizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të ankesave të bizneseve karshi Administratës Tatimore dhe Doganës, ose gjetjen e një mundësie tjetër për ofrimin e një mekanizmi i cili do të mundësonte trajtimin e kontesteve në shkallë të dytë.
Sipas OEAK-ut, dyshkallshmëria në procedurë administrative përpos që është një e drejtë ligjore, do të ndikonte më tej në përmirësimin e mjedisit fiskal dhe rrjedhimisht mjedisit e përgjithshëm të të bërit biznes në vend.