Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka mbajtur tryezën me temën: “Sistemin Gjyqësor dhe Ligjin e ri për Falimentim”, në të cilën u diskutua lidhur me vonesat që hasin bizneset në gjykata në trajtimin e kontesteve.
Aty u tha se funksionimi i mirëfilltë i institucioneve të drejtësisë është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Si rezultat i mosfunksionimit të kënaqshëm të divizionit përkatës që trajton rastet e natyrës fiskale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon rikthimin e një mekanizmi që do të ofronte trajtimin në shkallë të dytë të ankesave të bizneseve karshi Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganës.
Arian Zeka drejtor ekzekutiv i OEAK-së ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, që krahas plotësimit të kapaciteteve njerëzore të gjykatave të punojnë edhe në rritjen e kapaciteteve profesionale për zgjidhjen e kontesteve të natyrës komerciale.
“Në këtë aspekt do të ishte e nevojshme një edhe dhomë e veçantë që do të trajtonte të gjitha kontestet e bizneseve, gjë e cila do të ndikonte edhe te investitorët e jashtëm. Brengosëse shihet nga ana e bizneseve mungesa e praktikave gjyqësore për zbatimin e këtij ligji. Eliminimi i këtyre brengave mund të ndikojë në rritjen e e besimit në mesin e komunitetit të biznesit për gjyqësorin dhe për procedurat e falimentimit në përgjithësi”, ka thënë Zeka.
Rritja e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe një sundim i mirëfilltë i ligjit, sipas Zekës është parakusht edhe për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj për të cilët vendi ka nevojë.
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, diskutoi mbi fokusin dhe rëndësinë që u dedikon Ministria e Drejtësisë sektorit të sundimit të rendit dhe ligjit, e që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik në vend. Ajo vuri në pah sfidat me të cilat aktualisht ballafaqohet sistemi i drejtësisë në vend, me theks të veçantë Gjyqësori, ku mes tjerash numri i madh i lëndëve paraqet problem për gjithë sistemin e sundimit të ligjit.
Ministrja Hoxha, potencoi se duhet dhënë hapësirë e veçantë legjislacionit komercial, legjislacion ky i cili luan rol kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Konsideroj se infrastruktura ligjore dhe zbatimi i ligjit janë parakushte për të bërit biznes në vend dhe rrjedhimisht edhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Hoxha.
Ajo vlerësoi rëndësinë e hyrjes në fuqi të ligjit të ri për falimentimin, ligj ky i cili do të mundësojë krijimin e kornizës ligjore që do t’u ofrojë të gjitha bizneseve qasje në procedura të strukturuara në procesin e falimentimit.
Mike de la Rosa u.d i shefit të Misionit të USAID-it në Kosovë theksoi se sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës, duke përmendur dy shtylla kryesore drejt këtij zhvillimi: zhvillimi i sistemit gjyqësor dhe nxitja e investimeve të huaja në vend.
Sipas tij, edhe pse Kosova ka ende punë për të bërë, duke shtuar se misioni i USAIDit në Kosovë është të asistojë në këtë drejtim për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe kualitetin e shërbimeve, me theks të veçantë uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura.
Hamdi Ibrahimi kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka thënë se në Gjykatën Themelorë janë 6-7 lëndë që kanë të bëjnë me investimet e huaja.
“Vazhdimisht potencohet se në Kosovë nuk ka siguri për investimet e huaja sepse gjykatat nuk merren me këtë çështje. Ky është një perceptim i gabuar, sepse nuk janë gjykatat ato që kanë rezultuar me mospunën e tyre që të jenë faktorë limitues në investimet e huaja”.
“Kosova ka nevojë të ketë një gjykatë të vecantë për qështje ekonomike dhe administrative…Nëse duam të ecim përpara Kosova duhet t’i ketë këto”, ka thënë ai.