Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në bashkëpunim me Programin për Rritjen e Punësimit të Rinjve ka organizuar konferencën “Shkathtësitë, punësimi dhe rritja”, me ç’rast ka prezantuar të gjeturat e studimit të kryer me 200 kompani në Kosovë, rreth shkathtësive deficitare me të cilat përballen bizneset, dhe cilët janë sektorët ku ka boshllëqe më të mëdha.
Sipas studimit nga Oda ekonomike Amerikane boshllëku i shkathtësive në sektorin privat është në masë të madhe tek bizneset e prodhimit të cilat raportojnë vështirësi në gjetjen e punëtorëve me shkathtësi të nevojshme krahasuar me sektorin e tregtisë.
Sipas ndarjes regjionale vështirësitë më të mëdha janë në Prizren, Prishtinë dhe Gjilan, raporton Ekonomia Olnine.
Kompanitë prodhuese parashihet se në dy vitet e ardhshme në masë të madhe do të kërkojnë diploma nga institucionet e shkollimit profesional si dhe certifikata profesionale për pozitat e reja të punës.
Vështirësi në këtë aspekt ka edhe sektori i tregtisë ku komunat si Prizreni, Prishtina dhe Ferizaj ku kompanitë raportojnë se kanë vështirësi në gjetjen e shkathtësive të shitjes, menaxhimit të Kohës dhe menaxhimi i brendit.
Sa i përket sektorit të shërbimeve që paraqet edhe indeksin më të madh nga të gjithë sektorët e analizuar. Menaxhimi i kohës, shkathtësitë e inovacionit, dhe planifikimi e parashikimi listohen si shkathtësitë më së vështiri për tu gjetur në këtë sektor.
Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka, tha se një prej ankesave kryesore që na vjen nga bizneset dhe nga investitorët e huaj është ndërlidhja më e mirë e ofertës me kërkesën.
“Para investitorëve të huaja ne e promovojmë fuqinë punëtore, por nëse kjo fuqi nuk përmbush kërkesat për shkathtësi kjo mund të peshoj rëndë edhe në të ardhmen. Studimi fokusohet në tre sektor ai i shërbimeve tregtisë dhe prodhimtarisë”, tha Zeka.
Patrick Etienne, drejtor i Agjencisë Zvicrrane për zhvillim dhe bashkëpunim në Kosovë, tha se inkurajojmë qeverinë që të angazhohet në diskutime me sektorin privat që të mund të ofrojnë zgjidhje sepse ndonjëherë duket se nevoja dhe shkathtësitë janë shumë larg.
“Unë jam i kënaqur duke e lexuar këtë raport dhe më lejoni të them se sektori privat po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe industria e prodhimit ka treguar vetën se kanë kapacitete për të rritur fuqinë punëtore dhe për të eksportua. Duhet të shikohet se si mundet që biznesi dhe arsimit punojnë bashkë për të quar përpara këto trende”.
“Dhe ky studim tregon që ne akoma jemi larg sa i përket punës tonë në mënyrë të frytshme. Sistemi arsimit ka përgjegjësinë për rritje ekonomike këtu tregohet që tregu i Kosovës nuk ka nevojë për akademik por ka nevojë për saldues të mirë etj. dhe kjo bëhet duke ju dhënë të rinjve arsim të mirë profesional dhe universitar”, tha Etienne.
Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, tha se në programin e tij ka futur edhe avancimin s shkollave profesionale, e kjo sipas tij, është lajm i mirë.
Ministri ka shtuar se institucionet shtetërore bizneset dhe të rinjtë duhet ta kenë një lloj korrespodence në mes vete, por edhe bizneset duhet ta kenë një ndërlidhje me shkollat profesionale.
“Përkundër problemeve që kemi un do të filloj me një lajm të mirë dhe lajmi i mirë është që në programin tonë e kemi futur avancimin e shkollave profesionale. Së paku ne e kemi kuptuar rëndësinë e aftësimit profesional. Ajo çka na mbetet neve është që në institucionet tona ti bëjmë përgatitjet tona dhe jemi në këtë fazë që arsimi profesional të zë vend konkret”.
“Institucionet shtetërore bizneset dhe të rinjtë duhet ta kenë një lloj korrespodence në mes vete. Bizneset duhet ta kenë një ndërlidhje me shkollat profesionale. Ajo çka ne duhet të bëjmë është që ne duhet të intervenojmë në modelin e shkollimit bazik dhe në planin tonë e kemi këtë”, tha Bytyqi.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reqiça, tha se fokusi jonë është që sa më pak të kemi familje dhe qytetarë që kanë nevojë për asistencë sociale.
“Këtyre ditëve kisha rastin të marr pjesë në prezantimin e disa hulumtimeve që e kanë një emërues të përbashkët identifikimi o nevojave të tregut të punës dhe kjo është një gjë e mirë. Fokusi jonë është që sa më pak të kemi familje dhe qytetarë që kanë nevojë për asistencë sociale sepse interesimi jonë është të rrisim punësimin në Kosovë dhe ti zvogëlojmë kërkesat për asistencë sociale”.
Visar Hapçiu nga OAEK, bëri prezantimin e studimit mbi boshllëkun e shkathtësive.
“Kompanitë prodhuese përkundër numrit të vogël të tyre ata punësojnë më së shumti. Në nivel të pagave ka dallim substancial për shkak se në sektorin e prodhimit pagat janë më të vigla se në sektorin e tregtisë. Ne i kemi listuar diku 20 shkathtësi dhe kemi pyetur kompanitë sa është e rëndësishme shkathtësia në kompanitë e tyre dhe pyetja tjetër ka qenë sa janë të kënaqshëm ata me këto shkathtësi. Në sektori i prodhimit ka një boshllëk të madh i shkathtësive. Në sektorin e tregtisë ka një hendek më të vogël në aftësitë e shitjes. Edhe sektori i shërbimeve hendeku më i madh ka qenë menaxhimi i kohës”, tha ai.
Sipas OEAK boshllëku i shkathtësive ndikon në konkurrueshmërinë e bizneseve në nivel vendor dhe ndërkombëtar, si rezultat i humbjes së efikasitetit dhe rritjes së kostove operacionale.
Një pjesë e madhe e përgjegjësive për boshllëkun e shkathtësive i atribuohet institucioneve arsimore dhe politik bërësve në këtë fushë për çka pjesa më e madhe e bizneseve besojnë se kutikulat arsimore zhvillohen pa marrë në konsideratë kërkesat e tyre për fuqi punëtore, por ata shprehen optimist për të ardhmen, raporton EO.
Sipas të gjeturave të këtij studimi del se aftësimi profesional ka nevojë për reformë thelbësore për çka duhet të punohet për ngritje të vetëdijes për rëndësinë arsimit dhe aftësimit profesional.
Hartimi dhe aprovimi i standardeve të profesionit mund të ndikoj në uljen e boshllëkut. Parashihet që shkathtësitë specifike do të jenë relevante dhe të kërkuara në 10 vitet e ardhshme.