Duke pasur parasysh rëndësinë e një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat, në kuptim të përgatitjes së kuadrove profesionale për kërkesat e tregut të punës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi tryezë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Arsim Bajrami dhe Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) Arban Abrashi në të cilën, mes tjerash, u diskutua mbi çështjet me të cilat përballet sektori privat dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit të institucioneve përkatëse për këtë aspekt.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka tha se derisa institucionet përgjegjëse bëjnë përpjekje që të përmirësojnë raportin midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, të luajnë edhe rol proaktiv duke analizuar nevojat e ardhshme të tregut të punës dhe duke i përgatitur punëkërkuesit në Kosovë edhe për vendet e punës të cilat sot për sot nuk ekzistojnë.
Ministri Bajrami u shpreh se institucionet arsimore duhet të orientohen në sistemin e avancuar të edukimit, në atë të ideologjive praktike, duke pasur parasysh që të rinjtë duhet të edukohen në frymën e ndërmarrë-sisë. Bajrami theksoi se i tërë sistemi arsimor do të ndërlidhet ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit, e sidomos me sektorët të cilët kanë nevojë për staf profesional dhe të kualifikuar, përmes promovimit të edukimit dual që përfshin komponentën praktike dhe teorike.
Në këtë aspekt, kjo ministri është duke bashkëpunuar me ministri të tjera dhe organizata ndërkombëtare për të krijuar një kurrikulë që bazohet në shkathtësitë profesionale dhe praktike.
Ndërsa, Ministri Abrashi theksoi se në kuadër të misionit të MPMS-së është implementimi i masave dhe dizajnimi i programeve për krijimin e një fuqie punëtore në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Abrashi shtoi se kjo ministri në bashkëpunim me MASHT është në përpilim të një plani strategjik për analizimin dhe përditësimin e kërkesave të tregut të punës për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në kurrikulat e arsimit të lartë.
Përveç kësaj, Abrashi tha se aktivitetet e tilla ndikojnë pozitivisht në kuptim të rritjes së kërkesës në shkollat profesionale dhe që kërkojnë përpjekje gjithëpërfshirëse si nga institucionet arsimore, ashtu edhe në sektorin privat dhe shoqërinë.