Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me qëllim të hulumtimit dhe identifikimit të gjendjes ekonomike në Kosovë lidhur me qasjen në financa, duke e konsideruar si të gjeturën kryesore në mesin e barrierave që sfidojnë bizneset tona, ka anketuar 100 ndërmarrje mikro dhe të vogla, 7 banka komerciale në Kosovë dhe 6 institucione mikrofinanciare për të krahasuar kërkesën dhe ofertën në treg.
Ndërmarrjet e vogla kanë deklaruar të kenë sfida më të mëdha në krahasim me ndërmarrjet mikro dhe të mesme. 43% e ndërmarrjeve të mesme kanë vështirësi në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe menaxherëve me përvojë; 44% e ndërmarrjeve të vogla potencojnë se “kostoja e prodhimit” paraqet sfidën e tyre më të madhe; dhe 33% e mikro ndërmarrjeve thanë se pengesa e tyre më e madhe është gjetja e konsumatorëve, bën të ditur OEK.
Sipas hulumtimit, ndërmarrjet jo mirë të organizuara kanë tendencë t’i bashkohen sektorit formal, dhe brenda grupit të këtyre ndërmarrjeve mund të gjejmë ndërmarrës që tregojnë potencial për zhvillim. “Sa i përket punësimit, 62% e mikro ndërmarrjeve në tre vitet e fundit kanë mbajtur të njëjtin numër të të punësuarve, gjë që tregon se aktiviteti i tyre biznesor ka mbetur në të njëjtin nivel (nuk është zhvilluar dukshëm). Në anën tjetër 64% e ndërmarrjeve të vogla kanë rritur numrin e punëtorëve në tre vitet e fundit. Ndërmarrjet e vogla që deklaruan të kenë rritur numrin e të punësuarve, rritja ishte kryesisht nga 1-3 punonjës të rinj”.
Kurse, sa i përket investimit në zhvillimin dhe aftësimin profesional të burimeve njerëzore, ndërmarrjet e vogla kanë investuar më shumë në krahasim me mikro ndërmarrjet, megjithatë, në përgjithësi, investimet në zhvillimin profesional të burimeve njerëzore nuk ishin dhe aq domethënëse. Rreth 67% e kompanive të vogla përmendën domosdoshmërinë për trajnime specifike për stafin e tyre.
Ndërmarrjet kosovare kanë nevojë për mbështetje financiare shtesë. U theksua nga të gjitha kategoritë e ndërmarrjeve që u mungon stimulimi / mbështetja financiare. Ato kompani që përmendën nevojën për fonde shtesë, thanë se do ti përdornin ato fonde për të rritur biznesin e tyre (69% e mikro kompanive, 92% e kompanive të vogla, 91% e atyre të mesme), më shumë se sa për të ruajtur gjendjen aktuale të biznesit.
Nga ana tjetër bankat që operojnë në Kosovë kanë deklaruar të kenë paketa specifike të shërbimeve për ndërmarrjet mikro dhe të vogla (rreth 57%) dhe 29% kanë thënë se do të kenë paketa shtesë dhe tërheqëse për ndërmarrjet mikro dhe të vogla në të ardhmen e afërt. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në fillim ishin kryesisht të themeluara nga kursimet vetjake. Bazuar në këtë të gjetur, vërehet mungesa e një burimi tjetër të financimit për bizneset e reja (start-ups).
OEK thekson se normat e interesit ndryshojnë nga një bankë në tjetrën, gjithashtu bankat aplikojnë norma të ndryshme interesi për klientët e ndryshëm dhe varësisht nga natyra e projektit që bizneset kanë. Në thelb, normat e interesit të aplikuara nga bankat sillen midis 6-10%.
Institucionet mikrofinanciare janë një burim i rëndësishëm financiar për ndërmarrjet mikro dhe të vogla të sektorit formal dhe atij informal. Gjithashtu, normat e interesit të aplikuara për bizneset janë shumë të larta nga 12% – 29%. Institucionet mikrofinanciare, ndryshe nga bankat, nuk pretendojnë të stimulojnë ndërmarrjet mikro dhe të vogla për të hyrë në ekonominë formale.
Bazuar në këto të gjetura konkludojmë se bankat kryesisht përkrahin ndërmarrjet mikro dhe të vogla të ekonomisë formale në Kosovë, ndërsa institucionet mikrofinanciare janë duke financuar në mënyrë të konsiderueshme edhe ndërmarrjet joformale.