Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur sot konferencë për medie, ku ka ngritur shqetësimet e komunitetit të biznesit kosovar mbi barrierat tregtare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se agjenda politike në Kosovë dhe Shqipëri është e prolonguar.
“Praktikat e përbashkëta të dy shteteve kanë qenë praktikë e mirë për bizneset dhe Odën. Mirëpo, kjo ka qenë vetëm për konsum mediatik. Ne jemi të vetëdijshëm se nëpër çfarë vështirësi has komuniteti i biznesit kosovar në baza ditore në të bërit biznes, brenda dhe jashtë vendit”.
“Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë – CEFTA jemi përballur me barriera nga më të ndryshmet të cilat janë përdorur nga vendet anëtare ndaj bizneseve tona, respektivisht kompanive eksportuese dhe importuese”, ka thënë Gërxhaliu.
Oda Ekonomike e Kosovës, duke konsideruar një rritje të shqetësimit të bizneseve që tregtojnë me Republikën e Shqipërisë, kryesisht duke iu referuar barrierave jotarifore, çmimeve dumping, pengesave administrative të aplikuara në raste të caktuara (shpesh edhe të përsëritura) nga autoritetet shqiptare, ka realizuar një anketim me bizneset për të identifikuar problemet dhe për të parashikuar humbjet.
Drejtuesit e OEK-ut treguan se do të marrin pjesë në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri që do të mbahet më 27 dhe 28 nëntor në Korçë.
“Ne besojmë që takimi i radhës në mes dy qeverive është mundësia e fundit që të kemi nisje të një procesi konkret të trajtimit dhe zgjidhjes së problemeve konkrete që pengojnë bashkëpunimin në mes dy vendeve, prandaj jemi mobilizuar që të në mënyrë sistematike të identifikojmë këto probleme dhe të propozojmë zgjidhje specifike, sidomos për ndërmarrjet tona prodhuese që eksportojnë në tregun e Shqipërisë”, tha Gërxhaliu.
Oda Ekonomike është duke hartuar një raport më të detajuar rreth problemeve që ekzistojnë në tregtinë mes dy vendeve. Ky raport do t’u prezantohet të dyja qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, në këtë takim.
“Ky dokument përmbledhës nga ky hulumtim do të jetë platforma më e mirë, për ata që janë të thirrur të marrin vendime, drejt krijimit të kushteve për një treg të përbashkët, përmes krijimit të mundësive për një ekonomi komplementare në mes dy vendve, prandaj kërkojmë nga Qeveritë tona që të na përfshijnë si pjese integrale të këtij takimi”, tha kreu i OEK-ut.