Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu ka ftuar sot bizneset e vendit që në kuadër të mundësive reale të ndihmojnë Maqedoninë në tejkalimin e situatës emergjente të shkaktuar nga vërshimet katastrofale të javës së shkuar.
Gjatë takimit me ambasadorin e Maqedonisë në Kosovës Ilija Strazhevski, kryetari Gërxhaliu ka shprehur dhimbjen për jetët e humbura të qytetarëve të Maqedonisë dhe dëmet e shkaktuara në ekonomitë familjare dhe biznese.
Ai ka premtuar angazhimin konkret të Odës Ekonomike të Kosovës në sigurimin e ndihmave në artikujt e nevojshëm për fazën emergjente dhe tejkalimin e gjendjes së rëndë të krijuar pas vërshimeve.
“Jam i bindur që bizneset nga Kosova, sikur edhe në rastet tjera, do të janë solidar dhe aq sa u lejojnë mundësitë reale do të përkrahin thirrjen tonë për ndihmë banorëve të Republikës së Maqedonisë për tejkalimin e situatës së rëndë në të cilën janë gjetur si pasojë e vërshimeve”, ka thënë kryetari Gërxhaliu.
Duke iu falënderuar kryetarit Gërxhaliu për gatishmërinë e tij dhe bizneseve kosovare për të ndihmuar në tejkalimin e gjendjes së rëndë pas vërshimeve, ambasadori Strazhevski ka thënë se aktualisht është nevojë emergjente sigurimi ushqimit, pijeve dhe pakove higjienike.
Ai i ka dorëzuar kryetarit Gërxhaliu edhe regjistrin e artikujve të cilët aktualisht si emergjente janë të nevojshme për tejkalimin e situatës së krijuar.
Oda Ekonomike e Kosovës i fton bizneset dhe individët që me sigurimin e artikujve të nevojshëm dhe me para të ndihmojnë tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar në Maqedoni.
Për të gjitha informatat e nevojshme lidhur me ndihmat Maqedonisë, bizneset dhe individët mund ti drejtohen OEK-ut.