Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar “Monitorin e Biznesit Kosovar”, për tremujorin e tretë të vitit 2016. Nga gjetjet e këtij hulumtimi ka dalë se mungesa e mjeteve financiare dhe normat e larta të interesit duket të jenë pengesa më të theksuara të bizneseve në Kosovë.
Megjithatë sipas hulumtimit të OEK-ut, gjenda e përgjithshme e bizneseve në Kosove këtë tre mujor, është vlerësuar të jetë pozitive.
Gjetjet tregojnë se më shumë se 80 për qind e bizneseve vlerësojnë gjendjen e tyre të biznesit si të kënaqshme, ndërsa 18 për qind kanë deklaruar situatën e pakënaqshme.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se gjendja duket pothuajse e njëjtë me tremujorin paraprak, e manifestuar me një rënie të lehtë të pritshmërive të bizneseve.
“Bizneset kosovare vlerësojnë klimë të favorshme biznesi edhe në këtë tremujorë. Megjithatë ndjehet një lëkundje në vlerësimin e tyre për ambientin e biznesor, ku edhe në këtë tremujorë trendi vazhdon të jetë pozitiv”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij, pritjet e biznesit për gjashtë muaj kanë tendencë të jenë më pozitive se pritshmëritë për tre muaj.
“Rreth 40 për qind e kompanive presin që gjendja e tyre e biznesit të përmirësohet në gjashtëmujorin e ardhshëm, për 50 për qind të mbetet ashtu siç është dhe vetëm 10 për qind tregojnë pritje të përkeqësimit”, ka thënë ai.
Ndërsa, pritjet për punësim janë mjaftë optimiste, po aq sa pritëshmëritë për tre muajt e ardhshëm janë më të ulët për sektorin e tregtisë, ndërsa sektori i prodhimit duket te jetë sektori më optimist. Sektorët në pritje janë ai i prodhimit dhe i shitjes me pakicë.
“Një gjetje e rëndësishme nga ky studim në lidhje me përdorimin e kapaciteteve në sektorin e ndërtimit është se 22.6 për qind e kompanive shfrytëzojnë nën 51 për qind të kapacitetit të tyre dhe vetëm 13 për qind në mes të 91 -100 për qind të kapacitetit të tyre.
Sipas Gërxhaliut, indikatori i konfidencës ka shënuar një rënie prej 6 për qind në këtë tremujorë, pasi që sipas tij, besimi i bizneseve ka filluar të bie në dy tremujorët e fundit, por trendi vazhdon të mbetet optimist me gjithë rënie-ngritjet e kohë pas kohe.
Në lidhje me pritjet për punësim në tre muajt e ardhshëm, sipas raportit, vetëm 8 për qind e bizneseve presin që punësimi do të bjerë; 18 për qind janë optimistë se punësimi do të rritet dhe pjesa e mbetur prej 74 për qind theksuan se punësimi do të mbetët i njëjtë.
“Në këtë drejtim, situata është shumë më e keqe krahasuar me tre mujorin e mëparshëm”, thuhet në raport.
Ky është indikatori i 15 i tendencave të biznesit të cilin e përgatit OEK me përkrahje të GIZ-it Gjerman.
Qëllimi i tij është të ofroj informacione të besueshme dhe në kohë për zhvillimet ciklike, të ofroj informacione shtesë për të dhënat kuantitative statistikore që publikohen më me vonesë krahasur me këtë hulumtim.
Indikatori gjithashtu ofron mundësinë e vlerësimit të gjendjes së përgjithshme ekonomike si dhe identifikon ndryshime në ciklin e biznesit në kohë ose paraprakisht.
Ky hulumtim është realizim i sugjerimeve të Komisionit Evropian pçr harmonizimin e tendencës së biznesit në të gjitha vendet anëtare, ndërsa indikacionin sipas programit të dizajnuar nga eksperten gjerman IFO e realizojnë 100 shtete nga të gjitha kontinentet.
Mostër në këtë hulumtim janë 410 ndërmarrje të cilat përcillen nga cikli i parë i këtij viti dhe të cilat janë përzgjedhur nga data baza e Administratës Tatimore të Kosovës nga sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, prodhimi, ndërtimtaria dhe shërbimet.