Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, edhe këtë vit organizon Panairin e Produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse, me qëllim të promovimit të kompanive kosovare dhe produkteve të tyre brenda Kosovës, rajonit dhe më gjerë.
Ky panair, i 17-ti me radhë, është i një dimensioni më ndryshe nga herët tjera pasi që organizohet brenda kornizës së ngjarjeve të lidhura me javën e CEFTA-s, ku do të marrin pjesë aktorët më të rëndësishëm që shtyjnë drejt rrjetizimit dhe zhvillimit të bizneseve të Ballkanit Perëndimor.
Organizimi i Panairit do të paraprihet nga aktivitete të tjera, përkatësisht konferenca për “Diskutime Biznesore të Ballkanit Perëndimor”.
Pjesë e konferencës që shënon edhe hapjen e panairit, do të jenë përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Chamber Investment Forum (CIF), EUROCHAMBRES, përfaqësues të kompanive anëtare të Këshillit Biznesor të Ballkanit Perëndimor, Kryetar të Odave të Ballkanit Perëndimor me bizneset më të rëndësishme nga secili vend dhe delegacione nga vende të ndryshme.
Në panair pritet të marrin pjesë kompani me traditë shumëvjeçare në prodhimin e produkteve bujqësore dhe agroindustriale që kanë rëndësi të veçantë në promovimin e shtetit tonë me produktet “Made in Kosova” dhe njëkohësisht rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve anëtare të CEFTA-s.
Panairi do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor 2018, në Hotelin “Emerald”, magjistralja Prishtinë – Shkup. Transporti dhe hyrja janë falas.