OEK shpreh shqetësimin e saj në lidhje me vendimin e fundit të Ministrisë së Drejtesisë për të suspenduar një përmbarues privat i cili ishte duke vepruar brenda procedurave ligjore që janë në fuqi në Republikën e Kosovës.
Ky veprim në sy të komunitetit të biznesit paraqet një pasiguri juridike për arsye se kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në proceset gjyqësore të pavarura të cilat janë thelbësore për funksionimin e sistemit të ligjit i cili është element bazë i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes në Kosovë.
Oda Ekonomike e Kosovës si organizatë profesionale më e madhe në Kosovë kërkon që të mos ketë ndërhyrje të tilla në sistemin gjyqësor të pavarur, për arsye se një ndërhyrje e tillë, jo vetëm që cënon parimin themelor të pavarësisë së gjyqësorit, por gjithashtu e vë në rrezik besimin e investitorëve të huaj dhe vendor për të investuar në Republikën e Kosovës.
Për më shumë, ky veprim paraqet një precedent të rrezikshëm për t’u përsëritur edhe në të ardhmen.
Andaj, bëjmë thirrje për një rikthim të menjëhershëm të respektimit të gjyqësorit që është jetik që institucionet e shtetit të demonstrojnë një angazhim të qartë ndaj parimeve të sundimit të ligjit dhe të mbështesin një mjedis të të bërit biznes ku bizneset mund të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
OEK është e përkushtuar ta vazhdojë bashkëpunimin dhe dialogun me të gjitha palët për të avancuar një klimë të shëndetshme ekonomike duke mbrojtur interesat e sektorit privat dhe duke promovuar rritje ekonomike. Për këtë aryse presim që vendimet e mëtutjeshme të reflektojnë një angazhim të fortë ndaj këtyre parimeve.