Pakoja e re fiskale, raporti i Bankës Botërore, rishikimi i buxhetit për vitin 2017 e buxheti për vitin 2018, ishin diskutimet kryesore të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Ministrit të Financave, Bedri Hamza me përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu përmendi rishikimin e buxhetit me vonesë si pengesë me të cilën është ngulfatur sektori privat, raporton Ekonomia Online.
“Arsyeja që jemi këtu është që të kemi rishikimin e buxhetit që si Odë Ekonomike e kemi paraparë si një pengesë që ka ngulfat sektorin privat, sepse ekzekutues i punëve nga sektori publik ka qenë sektori privat dhe ç’do vonesë krijon vështirësi. Në rend të dytë, e kemi pas kalimin dhe miratimin e buxhetit për vitin 2018 që është një dëshmi dhe punë e mirë e ministrit dhe ekipit”
“E treta që është me rëndësi është fakti se këto ditë jemi dëshmitar të shpalosjes së raportit të Bankës Botërore, dhe ajo që është më interesante është fakti që me marrjen e detyrës për të vazhduar dialogu rreth pakos fiskale me qëllim që të krijohen lehtësira për sektorin publik dhe privat, në veçanti për sektorin prodhues. Sektor ky që për ne duhet të jetë substancë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe tentativa ka qenë që kjo pako të jetë në funksion të fuqizimit të sektorit privat dhe të pëmirësimit të indaktorit kyç për qëndrueshmëri ekonomike çfarë është indaktori i përmirësimit të bilancit për kontrollin e pagesave”
“Nuk i bëhet nder Kosovës vazhdimi i avazit të vjetër të eksportimit të parasë të gatshme, por duhet të bëjmë diçka që ajo para qoftë e gjeneruar brenda qoftë nga diaspora të jetë në funksion të zhvillimit dhe multi-dimensionalitetit. Ministri ka bërë shumë që të eliminohen disa barriera burokratike që e godasin sektorin prodhues në Kosovë dhe mundësinë për të depërtuar në tregun e Shqipërisë”, tha Gërxhaliu
Në anën tjetër ministri i Financave, Bedri Hamza i quajti procese të vështira rishikimin e buxhetit të vitit 2017 dhe planin për buxhetin e vitit 2018, duke premtuar kushte të mira për bizneset.
“Ne kemi pasur dy procese të vështira këtë vit. Në të njëjtën kohë është dasht me kry procesin e rishikimit të buxhetit dhe është kryer procesi i rishikimit. Përveç rishikimit të buxhetit ne kemi punuar edhe për buxhetin e vitit të ardhshëm. Prioritet i kemi dhënë sektorit të rendit e të ligjit”
“Me u përball me sektorin e drejtësisë është goxha problem dhe kemi reflektuar me rritjen e buxhetit dhe me numrin aktual të punësuarëve. Ky sektor ka hapësirë për punësimin edhe të 690 personave tjerë. Përveç sektorit të drejtësisë i kemi dhënë prioritet sektorit të arsimit. 26 për qind ka rritje sektori i arsimit në krahasim me vitin e kaluar. Besoj që shkollat tona duhet me reflektu me kontribu në krijimin e kuadrave të reja për tregun e punës”
“Përveç këtyre prioritet iu kemi dhënë sektorëve që e përkrahin zhvillimin ekonomik. Te sektori privat kemi reflektuar me fondin për garantimin e kredive. Qëllimi është që ky fond të garantoj kreditë për gjeneratat e reja e për gratë në biznes. Ne jemi të vendosur që bashkë me juve të përmirësojmë kushtet e të bërit biznes. Nuk do të procedoj asnjë ligj në Qeveri e Kuvend pa e pasur kontributin e juaj. Ka me pas trajtim të barabartë për të gjithë por ju keni me qenë ata që kanë me reflektu me komente”, tha Hamza para përfaqësuesve të bizneseve në vend.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë, të cilët i adresuan problemet e tyre ministrit.