OEK synon rritjen e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese

Prishtinë | 02 Sht 2026 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Women on Boards Adria (WOBA) do të bashkëpunojnë për të rritur përfshirjen e grave në bordet drejtuese dhe për të avancuar praktikat e qeverisjes korporative në Kosovë.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, u takua me Tanja Mihajlovska Dimitrievska, Ambasadore Rajonale dhe udhëheqëse e WOBA-s, dhe Katerina Boshevska, Drejtoreshë Menaxhuese e EOS në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe Ambasadore e WOBA-s.

Në takim u diskutua për aktivitetet e WOBA-s në Kosovë, bashkëpunimin me kompanitë dhe institucionet, si dhe përfshirjen e profesionistëve kosovarë në rrjetin rajonal të kësaj organizate.

“Kjo nuk është vetëm një fushatë ndërgjegjësimi, por punë konkrete për qeverisjen korporative – përgatitjen e kandidateve, profesionalizimin e përzgjedhjes dhe krijimin e mundësive për gratë e kualifikuara. OEK-u dëshiron që bizneset kosovare të jenë pjesë e këtij procesi dhe të ndihmojnë në formësimin e kësaj reforme”, tha Rafuna.

Kosova ka tashmë bazë ligjore për përfaqësimin gjinor në bordet e drejtorëve. Ligji për Shoqëritë Tregtare i vitit 2018 përcaktonte kuotën prej 40 për qind për gjininë më pak të përfaqësuar, me synim rritjen në 50 për qind. Megjithatë, kjo dispozitë mbulon vetëm shoqëritë aksionare dhe rregullat për zbatimin e saj nuk janë miratuar.

Në takim u theksua se rritja e përfaqësimit të grave në pozitat drejtuese lidhet edhe me procesin e përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.

WOBA synon të sjellë në Kosovë programe për lidership dhe përgatitje për anëtarësim në borde, si dhe të krijojë një rrjet të profesionistëve dhe kandidateve të përgatitura për pozita drejtuese.

Gjatë takimit u bë e ditur edhe rikthimi i EOS Matrix në tregun e Kosovës, me aktivitet në fushën e menaxhimit të arkëtimeve dhe blerjes së portofolëve të kredive me probleme, pas ndryshimeve në kuadrin ligjor për sektorin bankar.

OEK dhe WOBA do të koordinojnë hapat e ardhshëm për bashkëpunimin me kompanitë kosovare, përfshirjen e drejtuesve nga Kosova në rrjetin rajonal dhe angazhimin me institucionet për çështjet e qeverisjes korporative.

Të ngjashme