Në një vendim të pazakonshëm, një gjykatë në Shkup ka dënuar një qytetar maqedonas për ofendim të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Facebook.
Gjykata Penale e Shkupit dënoi L.A., që mban dy shtetësi, atë maqedonase dhe turke, me 400 euro dhe nëse nuk e paguan dënimin mund të përfundojë në burg, raportoi agjencia e lajmeve turke Anadolu.
Vendimi thotë se i akuzuari u shpall fajtor për “publikimin e qëndrimeve ironike dhe ofenduese në drejtim të liderit të një shteti të huaj”, transmeton Gazeta Express.
Padia, e ngritur nga Ambasada Turke në Shkup në fund të vitit 2016, thotë se personi “në profilin e tij në rrjetin social, e ka dëmtuar imazhin e Republikës së Turqisë dhe Presidentit Erdogan”.
Maqedonia dhe Turqia kanë tradicionalisht marrëdhënie të mira, pjesërisht për shkak të komunitetit turk në vend.
Megjithatë, nuk është e zakonshme në Maqedoni që njerëzit të dënohen për atë çfarë shkruajnë në rrjete sociale.