OIK në prag të përvjetorit të 10-të, prioritet avancimi i të gjithë punëtorëve shëndetësor

| 22 Jan 2025 | 13:15 | Nga

Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) është në prag të shënimit të 10-vjetorit të themelimit të saj, një jubile i rëndësishëm për këtë organizatë që ka luajtur një rol kyç në konsolidimin e profesionit të infermierisë në Kosovë. 

Kryetarja e OIK-së, Nexhmije Gori, në një prononcim për Ekonomia Online, theksoi arritjet e mëdha të organizatës dhe angazhimin e saj për përmirësimin e kushteve të punës dhe avancimin e profesionistëve shëndetësorë.

Gori shtoi se, edhe pse kanë qenë shumë sfida, përfshirë ikjen e infermierëve dhe ngarkesën e madhe në punë, organizata ka vazhduar të punojë intensivisht për avancimin e sektorit.

“Jemi në prag të përvjetorit të 10-të të themelimit të Odës. 10-të vjetori Odën e gjene me arritje të mëdha dhe të konsoliduar në përkushtim të komunitetit andaj shfrytëzoj rastin të falënderoj themeluesit e parë të Odave të profesionistëve të tjerë shëndetësor, siç ishin profesor Ferid Agani, profesor Hysni Bajrami, ish-kryetari Naser Rrustemaj si dhe ish-ministri i cili barti kompetencat në atë kohë Imet Rrahamni. Natyrisht se nuk ishte rrugë e lehët duke marr parasysh se ne ishim një vend i dalur nga lufta më shumë sfida, sakrificë e tash është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe dhe tani më ne jemi duke punuar çdo ditë e më shumë për të ngritur avancimin e të gjithë punëtorëve shëndetësor, në fokus pacientin”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.

Gori tha se në kuadër të aktiviteteve për 10-vjetorin, Oda e Infermierëve të Kosovës do të organizojë një ngjarje festive me pjesëmarrës nga Kroacia, Sllovenia, Zvicra, Maqedonia dhe Shqipëria. Pjesë e këtij evenimenti do të jetë edhe një dokumentar special që do të paraqitet përpara të pranishmëve, ku do të theksohen zhvillimet e Odes dhe punën e palodhur të profesionistëve shëndetësorë gjatë këtyre 10 viteve.

“Nëse është një eveniment ku do të ketë pjesëmarrës nga Kroacia, Sllovenia, Zvicra, Maqedonia e sigurisht edhe nga Shqipëria që tani e kemi një raport shumë të ngushte me profesionistet shëndetësor të Shqipërisë. Do të ketë një dokumentar special i cili do të paraqitet para të pranishmëve për zhvillimin e punëtoreve shëndetësor pra të odës dhe organeve të saj si dhe do të ketë disa pika artistike dhe në fund disa mirënjohje për të gjithë themeluesit dhe punëtoret shëndetësor që kanë punuar në këtë 10-të vjeçar për të avancuar profesionistët shëndetësor”, ka thënë ajo.

Kryetarja e OIK-së, theksoi se pagat dhe kushtet e punës mbeten një shqetësim i vazhdueshëm për profesionistët shëndetësorë dhe shprehu shpresën për përmirësime të mëtejshme, duke përfshirë avancimin e trajnimeve dhe përmirësimin e kushteve për punonjësit shëndetësorë.

“Nëse flasim për sfida në sektorin shëndetësor natyrisht ne e dim se kemi sfida jashtëzakonisht të mëdha duke filluar nga ikja e infermierëve me në një numër të konsiderueshëm, ngarkesa e madhe në punë, pagat që tani më  e kemi ritheksuar me mijëra herë, por në presim që të ketë përmirësim për profesionistët shëndetësor duke filluar nga avancimi i tyre, trajnimi në vendet e rajonit dhe pse jo edhe të botës dhe të kenë një pagë të dinjitetshme që të kontribuojnë në vend, në mënyrë që mos të jetë shkas paga apo kushtet e punës që ata ta lëshojnë vendin”, ka thënë ajo për EO. 

Të ngjashme