OJQ dhe medie të komunitetit serb i reagojnë zv.ministrit Shemsi Syla, spekulimet e pabaza rrezikojnë marrëdhëniet e brishta

Prishtinë | 03 Mar 2022 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Organizatat e shoqërisë civile dhe mediet, në kuadër të platformës “Open”, paralajmërojnë se spekulimet e pabaza nga zyrtarë si ajo e zëvendësministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Shemsi Syla, se “Serbia po mobilizon rezervistët e saj në Kosovë”, mund të paraqesin kërcënim real për sigurinë e njerëzve në terren dhe të rrezikojnë më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në mes të serbëve dhe shqiptarëve, si dhe tërësisht të shkatërrojë përpjekjet për të përmirësuar ato ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar.

“Të përmbajturit nga deklaratat nxitëse është veçanërisht e rëndësishme sepse jo aq larg nga këtu, po ndodhin skena të tmerrshme që zgjojnë kujtime traumatike ballkanike dhe momenti në të cilin gjendemi të gjithë kërkon sjellje të përgjegjshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Prandaj, organizatat nënshkruese të deklaratës ftojnë zyrtarët që sa më të shpejtë të përkushtohen në adresimin e sfidave aktuale me të cilat përballen të dyja palët, siç është çështja e targave të veturave, zbatimi i marrëveshjes për energji dhe modaliteti i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme në fillim të muajit të ardhshëm.

“Çdo rezultat pozitiv dhe marrëveshje mes dy palëve do të tregonte se problemet mund të zgjidhen në frymën e mirëkuptimit dhe tolerancës reciproke, e gjithë kjo me synim për një jete më të mirë dhe pajtim të qytetarëve”.

Komunikata është nënshkruar nga: Aktiv, Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA), Qendra për të Drejtat e Komuniteteve të Pakicave (CRMC), Bota Bardh e Zi, Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik (FDMC), Qendra Humanitare Mitrovicë, Instituti për Zhvillim Territorial dhe Ekonomik (InTER), Komunikimi për Zhvillimin Shoqëror (CSD), Iniciativa e Re Sociale (NSI), Qendra Mediale Çagllavicë dhe RTV Kim.

Të ngjashme