Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF që përfaqëson 22 organizata joqeveritare në fushën e mbrojtjes së drejtave të fëmijëve dhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim që përfaqëson 38 organizata joqeveritare të fushës së monitorimit të zgjedhjeve, në emër të misionit për mbrojtjen, respektimin, mirëqenien dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, apelojnë tek subjektet politike, të cilat janë në fushatë elektorale për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Drenasit, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore.
Këto organizata po ashtu apelojnë te prindërit, të cilët përcjellin aktivitete zgjedhore të partive, që të mos i politizojnë fëmijët që janë ende në zhvillim e sipër.
“Nga vëzhgimi i fushatës zgjedhore në terren është vërejtur prania e fëmijëve në aktivitetet e hapjes së fushatës së subjekteve politike. Duke qenë së tani fillojnë punën shkollat pas pushimit, partitë politike duke mbajtur aktivitetet e tyre zgjedhore në objektet shkollore, përveç që mund të pengojnë procesin e rregullt mësimor, rrezikojnë të përdorin fëmijët edhe për të promovuar subjektet e tyre politike, siç ka ndodhur edhe në fushatat e zgjedhjeve të kaluara”, thuhet në komunikatë.