Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi sulmin vdekjeprurës në një qendër migrantësh në Libi, ndërsa u bëri thirrje palëve të përfshira në luftë që urgjentisht të bëjnë armëpushim.
Organi më i fuqishëm i OKB-së po ashtu u bëri thirrje palëve që t’iu kthehen bisedimeve politike, të ndërmjetësuara nga OKB-ja.
Deklarata e së premtes është e para që miratohet nga të 15 anëtarët e Këshillit prejse forcat e komandantit Khalifa Haftar, i cili kontrollon lindjen e Libisë, kanë nisur një ofensivë në muajin prill për të marrë kontrollin e Tripolit, i cili kontrollohet nga një qeveri e mbështetur ndërkombëtarisht.
Së paku 44 njerëz janë vrarë nga sulmi në qendrën e ndalimit të migrantëve në lindje të Tripolit, më 2 korrik.
Një zëdhënës i Haftarit mohoi se forcat e tij kanë qenë të përfshira në sulm dhe fajësoi Qeverinë në Tripoli për të.
Së paku 600 migrantë, përfshirë gra dhe fëmijë, mbaheshin në qendrën Tajoura, e cila ishte shënjestër e sulmit.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së po ashtu shprehu “shqetësim të thellë” për, siç tha, përkeqësimin e situatës humanitare në Libi dhe për kushtet në qendrat e ndalimit të migrantëve, që, siç tha, “janë përgjegjësi e Qeverisë së Libisë”.
Së paku 6,000 migrantë nga Eritrea, Etiopia, Somalia, Sudani dhe vende të tjera janë të ndaluar në kampet në Libi.