Ekspertë për të drejtat e njeriut nga OKB-ja thanë të martën se plani i Izraelit për të aneksuar pjesë të konsiderueshme të Bregut Perëndimor do të ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar i cili ndalon marrjen e territorit me forcë. Po ashtu ata kanë bërë thirrje që shtetet anëtare të organizatës në mënyrë aktive ta kundërshtojnë këtë plan, shkruan Reuters të martën.
Në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar nga afro 50 ekspertë të pavarur, u shpreh pakënaqësia me përkrahjen që SHBA po i bën planit “të paligjshëm” të kryeministrit Benjamin Netanyahu që të zgjerojë sovranitetin e Izraelit në këtë territor, në të cilin palestinezët synojnë të krijojnë shtetin e tyre, transmeton KOHA.
“Aneksimi i territorit të okupuar është shkelje serioze e Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së Gjenevës dhe është në kundërshti me rregullin e afirmuar shumë herë nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së dhe Asamblesë Gjenerale se marrja e territorit me forcë është e papranueshme”, thuhet në raport.