Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi fuqishëm testin e fundit raketor të Koresë së Veriut dhe kërcënoi se do të vendosë sanksione të reja kundër Phenjanit për “sjelljen destabilizuese”.
Këshilli, me një deklaratë unanime, kërkoi që Koreja e Veriut “të mos kryejë më teste bërthamore” dhe tha se “aktivitetet e paligjshme raketore të Phenjanit janë duke rritur tensionet në rajon dhe përtej”.
Këshilli kërcënoi se do të ndërmarrë masa të tjera, përfshirë sanksione, për të trajtuar çështjen e Koresë Veriore.
“Nëse na duhet të nisim të shikojmë kah sanksionet ose veprimet e tjera, do ta bëjmë”, tha për gazetarët ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit ranë dakord për deklaratën e hartuar nga SHBA pasi Rusia këmbënguli që nevoja për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore përmes dialogut, të përfshihet në tekstin final.
Koreja e Veriut ka kryer në fundjavën e kaluar testin e fundit raketor, ndonëse ka dështuar.