Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e ka cilësuar luftën në Ukrainë si një “histori tmerri të shkeljeve kundër civilëve”, në të cilën respektimi i ligjit ndërkombëtar është “lënë mënjanë”.
Misioni monitorues i OKB-së në Ukrainë ka dokumentuar vrasjen e paligjshme të 50 personave në Bucha dhe vrasje të tilla të qëllimshme përbëjnë krime lufte, tha zyra në një deklaratë, duke shtuar se hetimet e OKB-së tregojnë se Bucha nuk është një incident i izoluar.
Misioni monitorues ka pranuar akuzat për 300 vrasje të paligjshme në Ukrainë.
Shkelje të tjera të qarta të dokumentuara nga misioni monitorues përfshijnë dëshmi të dhunës seksuale, bombardime pa kriter të zonave dhe infrastrukturës civile, si dhe ndalimin, keqtrajtimin, torturimin dhe madje edhe vrasjen e civilëve dhe të robërve të luftës “nga të gjitha palët në konflikt”.
Komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut Michelle Bachelet bëri thirrje urgjente për të gjithë ata që luftojnë për të siguruar respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe për të hetuar të gjitha pretendimet për shkelje të tij.