Më shumë se 16,000 persona janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre gjatë luftimeve të reja në Libi, ku qeveria e njohur nga OKB-ja po lufton për ta marrë kontrollin e pjesës perëndimore nga forcat e gjeneralit Khalifa Haftar.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi tha përmes një deklarate se është i alarmuar nga dëmet e shkaktuara ndaj popullsisë civile nga rrethi i vazhdueshëm i dhunës në këtë shtet, shkruan “France24”.
“Lëvizjet e reja ushtarake në Tripolin e Madh dhe Tarhuna i kanë shkaktuar zhvendosjen dhe vuajtjet e mbi 16,000 libianëve në ditët e kaluara”, thuhet në këtë deklaratë.
E përkrahur nga Turqia, qeveria e njohur nga OKB-ja javëve të fundit i ka rimarrë nën kontroll të gjitha pikat e mbetura të forcave të Haftarit në pjesën perëndimore të shtetit.
Gjenerali Haftar i filloi sulmet kundër qeverisë në prill të vitit të kaluar në përpjekje për ta marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli, por nuk e arriti këtë qëllim.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekje për ta zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore, duke organizuar konferencë dhe duke bërë thirrje për negociata mes palëve.