OKB ndez alarmin: Rrezikohet katastrofë humanitare në Afganistan, duhet mobilizim, ose do të jetë vonë

Prishtinë | 22 Gus 2021 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Me marrjen nën kontroll të talebanëve, Afganistani do të përballet me katastrofë të plotë humanitare, me uri të përhapur, njerëz të pastrehë dhe kolaps ekonomik nëse nuk arrihet një përpjekje urgjente humanitare pas tërheqjes së SHBA nga vendi. Është ky alarmi i dhënë nga drejtoresha kombëtare për Afganistanin e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, Mary-Ellen McGroarty, drejtuar liderëve botërorë.

“Ne duhet të sjellim furnizime në vend, jo vetëm në aspektin e ushqimit, por edhe furnizime mjekësore, strehimore. Ne kemi nevojë për para dhe na duhen tani”, apeloi ajo.

McGroarty theksoi se “nëse vonohemi për gjashtë apo shtatë javët e ardhshme, do të jetë shumë vonë. Njerëzit nuk kanë asgjë. Ne duhet ta marrim ushqimin tani dhe t’ua çojmë komuniteteve krahinore para se rrugët të bllokohen nga bora”, theksoi ajo.

Zyrtarja e OKB -së kujtoi gjithashtu se një në tre afganë ishte tashmë në një krizë urie, me mbi dy milionë fëmijë në rrezik të kequshqyerjes. Thatësira tashmë kishte çuar në një reduktim prej 40% të prodhimit të drithërave, ndërsa monedha afgane tashmë ishte në kolaps. Dhe normat e Covid-19 janë të larta. Siç kanë vërejtur të gjithë në botë, ka pasur një përshkallëzim të konfliktit në dy muajt e fundit. Mbi 500,000 njerëz të zhvendosur, 250,000 prej tyre që nga maji dhe ajo që është urgjente tani është një formë e armëpushimit që lejon një rritje masive të përgjigjes humanitare Me Imperativi humanitar nuk mund të humbet”.

Të ngjashme