Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara (OKB), më shumë se 200 varre masive që përmbajnë mbetjet e mijëra viktimave janë zbuluar në Irak në zonat e kontrolluara më parë nga grupi terrorist DEASH.
“Misioni i Asistencës i OKB-së për Irakun (UNAMI) dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut kanë dokumentuar ekzistencën e 202 vendndodhjeve të varreve masive në Ninewa, Kirkuk, Salah al-Din dhe Anbar, në pjesët veriore dhe perëndimore të vendit, por mund të ketë edhe më shumë”, tha raporti.
Raporti tha se ishte e vështirë të përcaktohej numri i përgjithshëm i njerëzve në këto varre, duke shtuar se, “Lokacioni më i vogël në Mosulin perëndimor përmbante tetë trupa ndërsa më i madhi besohet të jetë gropa Khasfa në jug të Mosulit, e cila mund të ketë mijëra”.
Midis qershorit të vitit 2014 dhe dhjetorit të vitit 2017, raporti tha se DEASH-i pushtoi zona të mëdha të Irakut dhe udhëhoqi “një fushatë të dhunës së përhapur dhe shkeljeve sistematike të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe të drejtës humanitare, veprime që mund të përbëjnë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të mundshëm”.