Shtetet anëtare në Kombet e Bashkuara janë pajtuar për të zvogëluar buxhetin vjetor për misionet paqeruajtëse, kanë njoftuar burime diplomatike për agjencinë e lajmeve AFP.
Agjencia ka raportuar se shuma, 6.689 miliardë dollarë, është për 122 milionë dollarë më e vogël se shuma e rekomanduar në fillim dhe rreth 600 milionë dollarë më e vogël se shuma e ndarë vitin e kaluar.
OKB-ja ka rreth 100,000 paqeruajtës të angazhuar në 14 misione në botë.
Buxheti pritet të miratohet zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme më 2 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë kontribueset kryesore në buxhetin e vitit të kaluar me 28.5 përqind të fondit, të përcjellura nga Kina me 10.3 përqind dhe Japonia me 9.7 përqind.
Në muajin mars, ambasadorja amerikane në këtë organizatë, Nikki Haley ka thënë se Uashingtoni është duke planifikuar zvogëlimin e fondit, duke iu bërë thirrje shteteve tjera për ndarje të shumave më të mëdha.