Kampioni botëror i peshave të rënda, Oleksandr Usyk, ka njoftuar se do të heqë dorë nga titujt e kampionëve WBC, WBA dhe IBF, megjithëse mbetet aktiv në boksin profesionist.
Ukrainasi 39-vjeçar i pamposhtur theksoi se nuk po e shqyrton daljen në pension, por se vendimi për të hequr dorë nga titujt e tij është “i menduar mirë” dhe synon të hapë mundësi të reja në vazhdimin e karrierës së tij.
Në një videomesazh të postuar në Twitter, Usyk njoftoi se po hiqte dorë nga rripat.
“Është një ditë e mirë për të thënë se dua të heq dorë nga të gjitha rripat që mbaj aktualisht. Dua t’i vë ato në dispozicion në mënyrë që djemtë e radhës të mund të luftojnë për to. Miq, po heq dorë nga rripat, por nuk po heq dorë nga sporti sepse kam ende vallëzimin tim të fundit”.
Së bashku me njoftimin, ukrainasi shtoi se beson që ky është një vendim që do të hapë kapituj të rinj për të.
“Ky është një vendim i menduar mirë për të cilin jam i bindur se do të hapë mundësi të reja për mua. Ky nuk është fundi i historisë. Vazhdimi është përpara nesh”, ka thënë Usyk.
Lëvizja e Usykut mund të hapë hapësirë për ndeshje të reja të mëdha dhe potencialisht t’i japë ish-kampionit Anthony Joshua mundësinë për të shkuar përsëri drejt unifikimit të titujve, dhe vetë Usyku planifikon ta kalojë pjesën e fundit të karrierës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku dëshiron të shkruajë kapitullin e fundit të historisë së tij në boks.
Gjatë karrierës së tij, Usyk dominoi fillimisht në divizionin e peshave të rënda, ku fitoi titullin WBO në vitin 2016, dhe më pas unifikoi rripat WBC, WBA dhe IBF pas fitoreve ndaj kundërshtarëve të elitës si Mairis Briedis dhe Murat Gassiev, përpara se të kalonte në divizionin e peshave të rënda dhe të vazhdonte serinë e tij të suksesit në nivelin më të lartë. /Telegrafi/