Olimpiada Speciale e Kosovës, bashkë me UNICEF-in, kanë organizuar aktivitete sportive me fëmijë nga Prishtina, Mitrovica dhe Fushë-Kosova.
Fëmijë me aftësi të veçanta, nga komuniteti rom dhe fëmijë nga shkolla të rregullta janë bërë bashkë dhe kanë zhvilluar lojëra të ndryshme sportive në sallën e sportit të shkollës fillore ‘’Mihail Grameno’’, raporton Ekonomia Online.
Këto aktivitete janë organizuar në kuadër të marrëveshjes së UNICEF-it dhe Komitetit Olimpik për Fëmijë me Aftësi të Veçanta, në fillim të këtij viti. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi është ofrimi i aktiviteteve të lojës dhe sportit, shërbime të drejtpërdrejta të shëndetit dhe të zhvillimit të fëmijërisë së hershme për fëmijët 2-8 vjeç dhe të rinjtë me nevoja të veçanta intelektuale duke përfshirë edhe familjet e tyre dhe komunitetin. Projekti do të zgjasë deri në dhjetor të këtij viti me mundësi vazhdimi.
Për të përkrahur fëmijët pjesëmarrës në aktivitetet e organizuara nga Olimpiada Speciale pjesëmarrës ishin edhe familjarët e tyre. Njëra prej tyre ishte edhe Bedrie Avdiu, gjyshja e Rufat Avdiut pjesëmarrës në këtë aktivitet.
Ajo u shpreh mjaft e kënaqur me aktivitetet e organizuara duke shtuar se nipi i saj është duke kaluar shumë mirë dhe krijuar shoqëri të re.
Aktivitet mjaft frytdhënës e konsideroi edhe koordinatorja e projektit Kimete Bekaj.
Ajo tha se aktivitetet e tilla po ndikojnë pozitivisht në socializimin e fëmijëve nga komuniteteve joshumicë, fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijë të shkollave të rregullta.
Për përfitimet e aktiviteteve të organizuara nga projekti “Atletët e rinj’’ tregoi edhe koordinatorja e projektit për rajonin e Fushë-Kosovës, Norë Potera.
Sipas Poterës aktivitete e tilla po ndikojnë në socializimin e fëmijëve, por edhe në mirëqenien e tyre.
Edhe fëmijët pjesëmarrës ishin mjaft të kënaqur me organizimin e aktiviteteve nga Olimpiada Speciale. Ata thanë se aktivitetet e tilla po ndihmojnë që të shoqërohen me fëmijë nga komunat e tjera.