Drejtori i Urbanizmit në komunën e Prishtinës, Ardian Olluri, po merr pjesë në konferencën e ndërtimit që ka fillur të mbahet sot në kryeqytet.
Olluri ka bërë të ditur se në Prishtinë janë mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Sipas tij janë legalizuar vetëm 300 ndërtime, raporton Ekonomia Online.
“Sot në Prishtinë kemi mbi 46 mijë ndërtime pa leje, leje të përdorimit 3 %. Komuna ka qenë e angazhuar që të ndalë ndërtimet pa leje, kemi arritur të ndalim këtë. Por janë trajtuar vetëm 500 e janë legalizuar vetëm 300”, ka njoftuar Olluri.
I pranishëm në konferencë është edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
Sipas tij, rekomandimet nga kjo konferencë do të shërbejnë për të planifikuar sa më mirë ndërtimin në Prishtinë.
“Jemi dëshmitar si është ndërtuar Prishtina si është planifikuar Prishtina. Prishtina është duke punuar dhe duke bërë vijat e trasha të planifikimit dhe bashkëpunimi me çdo ndërtimtarë që ne ti japim një fytyrë ndryshe Prishtinës. Besoj që nga kjo konferencë do të dalin sugjerime të cilat do të praktikojmë në Prishtinë për të mirën e vendit dhe të ardhmes së fëmijëve tonë”, tha Selimi.
Në konferencë do të ketë panele diskutimi dhe prezantime. Dita e parë e konferencës do të ketë panele diskutimi në temat “Identiteti Arkitekturor i Kosovës” dhe “Ballafaqimi i Ballkanit me Urbanizëm”.
Konferenca do të vazhdojë edhe më 3 prill, ditën kur do të flitet për “Degradimin e Tokave Bujqësore nga Ndërtimi” dhe “Ndërtimi si ndotës”.