NGA TIVATI NË MITROVICË
(Operacionet e Serbisë kundër agjendës së BE-së dhe integritetit zgjedhor në Kosovë)
Skenari i dështuar i Serbisë për ta lënë në hije samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ka vazhduar sot në veri të Mitrovicës me provokimin kundër simbolit të paqes dhe integrimit (I❤︎ Mitrovica), për të nxitur destabilizim para zgjedhjeve.
Plani i djeshëm për zbarkim në Tivat me 87 ‘mercenarë’ që do ta kërcënonin sigurinë para samitit, u pengua nga autoritetet malazeze, duke i kthyer ata në Serbi, prandaj “duhej” vazhduar me tensione në veri, për shkak të qëllimit minues ndaj zgjedhjeve.
Përpjekjet e Serbisë për ndërhyrje rajonale reflektojnë agjendën e integrimit euro-atlantik me Republikën e Kosovës si faktor i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë.
Për këtë arsye, Aleksandër Vuçiq orkestroi “mbështetjen” nga Maqedonia e Veriut me mesazhe nacionaliste kundër Kosovës, artikuloi qartë objektivin për ta kontrolluar votën e çdo serbi në Kosovë përmes Listës Serbe dhe planifikoi sabotimin e BE-së në Tivat, për ta sfiduar Podgoricën si aleate të NATO-s.
Pas dështimit në Mal të Zi dhe viktimizimit të zakonshëm me “diskriminim”, BIA aktivizoi provokimin në veri duke përfshirë Milan Radojeviqin e Ivan Zaporozhcin, me qëllim të mobilizimit emocional, përmes një simboli të kornizuar nga propaganda dhe strukturat serbe si “sulm ndaj identitetit” të tyre apo si veprim për “shqiptarizimin” e veriut.
Pamja e kësaj strategjie të Serbisë bëhet edhe më e qartë kur samiti në Tivat dhe konsolidimi i Kosovës vendosen në kontekstin e projektit për “Botën Serbe”.
Nisma e shpallur në prag të samitit nga Macron dhe Merz për ta përshpejtuar integrimin e rajonit në BE dhe propozimi në SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë mesazhe strategjike që pamundësojnë synimet hegjemoniste të Serbisë.
Nga ana tjetër, arrestimi i “sekserëve” për votat e Listës Serbe zvogëlon hapësirën e ndërhyrjeve të saj për kontroll absolut mbi qytetarët serbë, që të mund ta përdorë si një “argument” të narrativës së “terrorit e represionit”.
Në një situatë të tillë, orkestrimi i një krize të re në veri duke mobilizuar punonjësit e strukturave ilegale të arsimit e shëndetësisë, është një operacion hibrid që ka për qëllim ta cenojë rendin dhe integritetin e procesit të zgjedhjeve më 7 qershor.
