Për ne shqiptarët atdheu është “kthim mbrapa”

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 17:26 | Nga Majlinda Bregasi

Ne shqiptarëve çdo vend na duket i bukur, mjaft që të mos jetë i yni. Kushdo që jeton jashtë, kur kthehet në atdhe e ka të vështirë të adaptohet, ndoshta shëmtia e qyteteve, ndoshta orët e gjata kafeneve, orët e gjata bosh, bisedat bosh.

Shyqyr që nuk je këtu, është refreni që nuk na ndahet. Ne buzëqeshim, se na vjen keq të aprovojmë.

Nuk jemi të sinqertë, as me ata, as me veten.

Secili prej nesh shikon te tjetri atë që i mungon, e kur nuk të mungon asgjë?!

Kjo është pyetja që më në fund ia bëra vetes.

Kur nuk të mungon asgjë, pse shikon mbrapa? Te kjo pyetje e gjeta përgjigjen. Për ne shqiptarët atdheu është “kthim mbrapa”.

Kthim mbrapa, jeta është përpara, në atdheun e të tjerëve.

A ka gjë me mizore se kjo?

Po, shpesh edhe unë i them vetes, jam qytetare e botës, jeta është shume e shkurtër për ta kaluar në vende që janë atje mbrapa, ec përpara e jeto!

U dashka guxim mos ta duash edhe shëmtinë kur vika nga vendi yt. U dashka guxim te ndihesh indiferente kur politika ta bën shëmtinë edhe më të shëmtuar, të turpshme.

Sigurisht që protestoj, jo për kufij, kufijtë nuk janë të paprekshëm, por për një shtet ku kufijtë nuk i vendos një njeri i vetëm. Për një shtet ku funksionon ligji e jo Maliqi. Një shtet që nuk funksion sipas piramidës së Maliqëve që na e mbajnë kaq vjet të lidhur vendin atje mbrapa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme