Statusi special për veriun e Kosovës s’është gjë tjetër pos “Republika Srpska”

Prishtinë | 30 Kor 2018 | 14:30 | Nga Zeqir Bekolli

Veriu i Kosovës, nuk është i kapur vetëm nga Serbia, por ai është edhe peng i mafias shqiptaro-serbe e cila në këtë plan bashkëpunon fare mirë dhe që të dyjat janë të lidhura me politikën.

Pas maratonës së madhe për demarkacionin dhe zhurmës shurdhuese me të cilin përcillej ky proces, kohëve të fundit doli në publik edhe procesi i dialogut me Serbinë, i përcjellur me zhurmën shurdhuese se do të ketë ndarje, s’do të ketë ndarje, do të ketë status special, s’do të ketë status special e të ngjashme.

Nga gjithë kjo zhurmë që po dëgjohet, dhe pas shumë filtrave nëpër të cilat po kalojnë idetë, parashikimet, paragjykimet duket se diçka, që i afrohet realitetit të tavolinës me Serbinë është statusi special, për serbët e Kosovës, që sipas informatave që po rrjedhin gjendet në tavolinë dhe para të cilit “negociatorët” japin sinjale se janë dorëzuar, veçse po bëjnë përpjekje në stilin e demarkacionit, që këtë patate të nxehtë t’ia lënë në dorë dikujt, nëse nuk arrijnë ta bindin popullin.

Statusi special, që rrjedhë si pasojë e fillimit të keq të dialogut, nuk është asgjë tjetër por një “Republika Serpska” e Bosnjës, që e shpie vendin në binarë të  destabilitetit të përhershëm, pa një perspektivë dhe të shoqëruar me krim dhe korrupsion në shtigjet afatgjata.

Zaten, kjo mund të dëshmohet me qindra shembuj, të cilët flasin qartë e prapa kësaj zhurme dhe maratone gjenden të gjithë ata, që sot nuk janë të interesuar që në Republikën e Kosovës të ketë rend e ligj, që ky vend t’i ngjajë një mjedisi ku mbisundon krimi dhe anarkia, sepse vetëm në këtë mënyrë askush, askujt nuk do t’i japë llogari për punën që bën dhe kështu do të lulëzojë krimi i organizuar në dëm të popullatës e cila vazhdon të shpresojë se një ditë të afërt do të bëhet mirë.

Veriu i Kosovës, nuk është i kapur vetëm nga Serbia, por ai është edhe peng i mafias shqiptaro-serbe e cila në këtë plan bashkëpunon fare mirë dhe që të dyjat janë të lidhura me politikën. Në këtë zonë, ku sundojnë bandat kriminale serbe, nuk do të mund të vepronin poqese nuk ndihmohen nga mafia shqiptare, të cilat e shfrytëzojnë këtë zonë për pazarllëqe të ndryshme , qofshin ato ekonomike, politike , të kontrabandës e të ngjashme.

Nuk ka nevojë të dyshohet fare se aty mund t’i kenë gishtat e vet edhe elemente kriminale ndërkombëtare, që herë-herë sillen edhe si humanitarë, sa për ta mbuluar veprimtarinë e njëmend, që bëjnë në atë anë. Prandaj, puna e parë që është dashur e duhet të bëhet është formimi i në “Task Force” e cila do ta godiste mafian, që vepron në veri, si parapërgatitje për stabilizimin e vendit.

Ndërsa, veprimi tjetër është parandalimi i çfarëdo statusi për atë anë, nëse dëshirojmë që Kosova në të ardhmen të bëhet një shtet funksional, normal të cilin nuk e duan kundërshtarët dhe mafia, qoftë ajo politike apo ekonomike. Për këtë veprim duhet ta na shërbejë shembulli i Bosnjës, i cili nuk është dhe nuk do të jetë kurrë shtet normal, sa të jetë i tillë.

Këtë gjë duhet ta kenë parasysh edhe partnerët tanë SHBA-Evropë, nëse dëshirojnë që republika më e re të jetë një vend normal, stabil, i zhvilluar dhe me perspektivë për të gjithë banorët që jetojnë në të.

(Autori është ish-gazetar, së fundi i është bashkuar zyrtarisht partisë Vetëvendosje)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme