Deputetët e opozitës, Teuta Haxhiu, Smajl Kurteshi dhe Shukrie Bytyqi, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, duke kundërshtuar që Ligji për Arsimin e Lartë t’i kthehet Qeverisë me kërkesë të Listës Serbe.
Ligji tash e një vit është në pritje për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tyre, nuk ka nevojë që ligji të kthehet në ministri, por vetë komisioni të mund të bëjë përmirësimet e duhura në këtë projekt ligj, raporton Ekonomia Online.
Komisioni nuk ka arritur që ta dërgojë në rishqyrtim Projektligjin për Arsimin e Lartë. Kjo ndodhi në mungesë kuorumi pasi që opozita e lëshoi demonstrativisht mbledhjen. Paraprakisht janë zhvilluar debate të ashpra mes deputeteve në pushtet dhe atyre të opozitës.
Deputetët e opozitës e quajtën këtë ligj politik. Pozita kërkonte që qeveria t’i bënte përmirësimet, ndërsa opozita që ndryshimet t’i bëjë komisioni.
Ligji për Arsimin e Lartë e bën Universitetin e Mitrovicës Veriore, universitet etnik, u tha gjatë mbledhjes së komisionit.
Kryetari i Komisionit, Nait Hasani, tha se janë nëntë ligje, në mesin e tyre ky ligj, që kërkojnë dy të tretat e votave të Kuvendit, përfshirë votat e pakicave. Prandaj, Hasani i luti anëtarët e komisionit që të reflektojnë dhe kuptojnë se me çfarë situate kemi të bëjmë.
Deputeti Shpëtim Bulliqi, nga radhët e LDK-së, ati vërejtje që në ligj është shtuar edhe pjesa e çështjes së formimit të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, të cilin e trajton të veçantë nga universitetet e tjera.
“Ministri është dakorduar me miqtë e vet me tërheq ligjin. Ky projektligj hyn në grupin e projektligjeve me rëndësi që duhet t’i ketë edhe 2/3 e pakicës serbe. Pra ky projektligj është politik. Ata kanë kërkuar ta tërheqin dhe ne e kemi dhënë mbështetjen”.
“Pas një viti e katër muajsh, ligji t’i kthehet komisionit… Për shkak të ndërrimit të rrethanave që janë tash, propozoj që t’i kthehet Ministrisë së Arsimit, që ajo ta përpunojë këtë ligj. Unë kërkoj që edhe ju deputetët të përkrahni këtë, që kuvendi t’ia kthejë Qeverisë, Qeveria ta dërgojë në ministri dhe këtu mund të përmirësohet, sepse ky ligj siç kemi thënë edhe në më herët ka shumë mangësi, si në gradim ashtu edhe disa pika tjera të përmbajtjes”, tha ai.
Deputetja Teuta Haxhiu nga AAK-ja tha se tërheqja e ligjit është e paarsyeshme dhe është politike.
”Ministri në atë kohë ka thanë që po e tërheqim për disa konsultime. Qoftë në komision, qoftë në Kuvend përmes pyetjeve parlamentare, kam kërkuar të dijë se ku është ky projektligj. Për mua është më shumë se politike tendenca që ‘miqtë ndërkombëtarë’ po kërkojnë me tërheq ligjin… Po i jepni mundësinë komunitetit serb që me luajt me dinjitetin e popullatës në përgjithësi, me marrë guxim të skajshëm me luajt me ligj, siç është edhe Ligji i Arsimit të Lartë”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti Smajl Kurteshi nga Vetëvendosja tha se duhet të ulen dhe të japin propozime konkrete për ndryshime në ligj.
“Sepse ligji nuk është 100% për t’u hedhur. Por duhet përmirësuar. Ky komision mos të merret me rekomandime politike, jo po e kthejmë, s’po e kthejmë, por ta kryejnë punën tonë, sepse puna jonë është me shqyrtu ligjet”, tha Kurteshi.
Deputeti Bekim Haxhiu i deputet i PDK-së tha se ligji parasheh që Universiteti i Mitrovicës të funksionojë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës.