Opozita fajëson ministrin Rrahmani për sigurimet shëndetësore

Prishtinë | 31 Jan 2017 | 12:20 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore do të fillojë në muajin gusht edhe pse ishte premtuar se do të fillojë më 1 janar të këtij viti.

Duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për sigurimet shëndetësore, ministri Rrahmani ka thënë se është bërë një plan i veprimit për këtë çështje dhe për këtë ai është kritikuar nga anëtarët opozitarë të komisionit.

Anëtarët e komisionit nga radhët e opozitës e kanë akuzuar ministrin Rrahmani se po i mohon këtë të drejtë qytetarëve të Kosovës pasi që është i vetmi vend në rajon që s’ka sigurime.

Besa Baftiu, anëtare e komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka akuzuar Rrahmanin për mos fillimin e mbledhjes së premiumeve të sigurimeve shëndetësore. Gjithashtu ajo ka thënë se qeveritë e pasluftës edhe pse kanë proklamuar ligjiin për sigurimet shëndetësore si prioritet, sipas saj, në realitet kjo kategori është neglizhuar.

“Qytetarëve të Kosovës u është mohuar e drejta për sigurime shëndetësore. Nuk kemi pasur qeveri që kanë menduar për hallin e qytetarëve. Nga 2004 kemi folur për këto sigurime. Pas dhjetë vjetësh, do të thotë më 2014 është hartuar Ligji për Sigurimet Shëndetësore dhe tash në 2017 nuk jemi as afër implementimit të këtij ligji. Kosova është vendi i vetëm në rajon pa sigurime shëndetësore, kurse ata që kanë sigurime kryesisht janë sigurime private. Qeveritë e pasluftës e sidomos kjo e fundit e kanë proklamuar që shëndetësinë e kanë prioritet, por në të kundërtën kjo është neglizhuar”, ka thënë Baftiu.

Edhe anëtari tjetër i komisionit, Ali Berisha, nga AAK-ja ka thënë se  ndarja buxhetore nuk është konform ligjit. Gjithashtu ai ka thënë se ngritja e kapaciteteve në shërbimin informativ shëndetësor është i limituar.

“Ndarjet buxhetore nuk janë konform ligjit. Ngritja e kapaciteteve në shërbimin informativ të shëndetësisë është e limituar por edhe numri i punëtorëve po prolongohet. Mendoj që të gjitha këta hapa duhet të definohen për t’i paraprirë shërbimeve shëndetësore. Ajo që është proklamuar shumë ka dështuar ju duhet të pranoni që prioritetet e qeverisë nuk po zbatohen. Unë e kuptoj që është proces i vështirë, mirëpo kjo është domosdoshmëri për qytetarët”, ka thënë Berisha.

Edhe deputeti, Hatim Baxhaku nga LDK ka përkrahur kolegët nga opozita duke thënë se fondi i sigurimeve shëndetësore duhet të funksionalizohet.

“Fondi i sigurimeve shëndetësore do të funksionalizohet. Unë ju inkurajoj ta merrni më seriozisht, sepse është koha e fundit, sepse mbledhja e premiumeve dhe ligji për sigurime shëndetësore duhet të funksionalizohet. Për me u funksionalizuar, ne e dimë që kemi me pas problem, por duhet të presim që kjo duhet t’i plotësojë kushtet edhe nga ana e qytetarëve”, ka shtuar Baxhaku.

Kryetari i komisionit, Nehat Baftiu, nga radhët e PDK-së ka vazhduar me akuza duke thënë se “jemi i vetmi shtet në botë që s’kemi sigurime shëndetësore”.

“Unë e kam shtëpinë e siguruar, veturën po, kafshët po veç gruaja edhe vet nuk jemi të siguruar. Jemi i vetmi shtet në botë që nuk kemi sigurime shëndetësore”, ka thënë Baftiu duke pyetur se kur do të bëhet publike çmimorja e pakos së sigurimeve.

Për të gjitha këto kritika ministri Rrahmani kishte përgjigje duke thënë se sigurimet shëndetësore duhet filluar dhe se me premiumet shëndetësore nuk duhet bërë politikë.

“Ne kemi vlerësuar që sigurimet shëndetësore duhet filluar duke filluar edhe premiumet nuk duhet me bë politikë me këtë temë të ndjeshme. Kosova nuk ka mundësi buxhetore, as përvojë politike të përfitojë nga fondi i sigurimeve shëndetësore. Kemi filluar komisionin e përbashkët me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për testin e varfërisë në mënyrë që t’i identifikojmë të varfëritë dhe t’i largojmë nga pagesat e fondeve dhe premiumeve”, është përgjigjur Rrahmani.

Ai gjithashtu është pyetur nga Besa Baftiu se a janë të licencuara institucionet e shërbimeve publike në Kosovë.

Rrahmani u përgjigj duke thënë se tash vonë kanë filluar licencat për shërbimet publike përkundër që ato private kanë pasur licencë . Ai gjithashtu tha se ky proces nuk mund të bëhet brenda natës.

Të ngjashme