Një delegacion i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian i kryesuar nga eurodeputeti estonez, Tunne Kelam, ka mbërritur të mërkurën në Tiranë.
Në përbërje të delegacionit kanë qenë edhe: Cristian Preda, Knut Fleckenstein, Juan Fernando, Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamás Meszerics. Vizita e delegacionit të PE-së në Tiranë vjen fill pas protestës së opozitës gjatë mbrëmjes së të martës, shkruan sot Koha Ditore.
Pa humbur kohë, Delegacioni i PE-së është takuar me krerët e opozitës së bashkuar, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Vangjel Dule e Agron Duka. Djegia e mandateve nga ana e opozitës dhe bojkotimi i punës në Parlament ka qenë një ndër pikat kryesore, për të cilën është diskutuar në takimet mes opozitës dhe ndërkombëtarëve.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka folur pas takimit me delegacionin e PE-së në Tiranë. “Dua të falënderoj eurodeputetët për mundësinë që i dhanë opozitës për të treguar gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria. Natyrisht një nga problemet më të mëdha që ka vendi është mungesa e informacionit dhe dezinformimi”.
“Ishte me rëndësi që të flisnim hapur dhe shkoqur me miqtë tanë dhe t’u shpjegonim atyre gjendjen ku ndodhet Shqipëria, dhe se opozitës nuk i është lënë asnjë mundësi tjetër ose të bëhet njësh me krimin dhe oligarkinë, ose t’u tregojë shqiptarëve se ky sistem ka rënë. Shqetësim i ndërkombëtarëve është stabiliteti i vendit”, tha Basha pas takimit.