Kërkesën për zgjedhje të reja në vend partitë opozitare po e shfaqin çdo ditë e më shumë. PDK e LDK këmbëngul që vendi duhet sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të mandatit të Qeverisë Kurti, partitë opozitare shohin vetëm zhgënjim dhe mospërmbushje të premtimeve. Prandaj, zgjedhjet i shohin si zgjidhje reale.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Ekonomia Online se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Mendoj që zgjedhjet e reja janë procesi me i domosdoshëm për këtë vend duke parë gjithmonë këtë qeverisje mënyrën e keqe të qeverisjes së këtij vendi dhe një situatë mjaftë e rëndë, qoftë ekonomike, qoftë në aspektet tjera të këtij vendi. Prandaj mendoj që sa më shpejt që është e mundur ne duhet të shkojmë zgjedhje dhe sovrani të vendos kush do ta udhëheq Kosovën vitet e ardhshme”, thotë Qalaj.
Përveç PDK-së zgjedhje të reja po kërkojnë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thotë për Ekonomia Online se çdo ditë qëndrimi i kësaj qeverisje, dëmi është i madh. Prandaj, këmbëngul për të shkuar në zgjedhje.
“Edhe një ditë nëse vazhdon kjo qeveri është edhe dhjetëfish dëmi më i madh për qytetarët e republikës së Kosovës, normalisht që duhet me shku në zgjedhje po ne si opozitë e kemi të pamundur me dërgu Kosovën në zgjedhje sepse kemi pak numra në parlamentin e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike të votohet me kaq besim të madh mbi 50 për qind të deputetëve dhe me pas shumicën parlamentare e pa asnjë koalicion tjetër sikur që i ka ndodhur VV-së dhe pikërisht që kanë pasur numra mjaftueshëm në Parlament është dashur me dërgu agjendën e Kuvendit. E para dhe me sjell ligje për me u votu në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo është një qeveri një mazhorancë që më së paku ka punuar në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
“Sa i përket zgjedhjeve të reja atë minutë që zotëri Kurti është i gatshëm me hy në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës me krahë hapur më shumë dëshirë do t’i pres zgjedhjet e reja sepse i ka dalë fytyra e vërtetë dhe kauzat e rrejshme të Kurtit tani më i kanë kuptuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe i falënderoj të gjithë qytetarët që ata më të vërtetë i kanë thirrur mendjes dhe e kanë ndryshuar bindjen karshi qeverisë krejt dhe drejtë krejt dhe rren”, u shpreh ajo.
Mendim të ngjashëm për të shkuar në zgjedhje nuk ka edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. Ai për Ekonomia Online, thotë se Qeveria Kurti duhet ta përfundojë mandatin e saj. Madje, Abazi nuk i sheh aq serioze deklarimet e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk shoh ndonjë arsye sepse mendoj që Kurti duhet ta përfundoj mandatin e vet, ashtu siç i është dhënë. Nuk ka të interesuar nga opozita në formën serioze për ta rrëzuar këtë Qeveri duhet t’i lihet mundësia për të parë së fakt për katër vite ka arritur të bëjë minimalisht mos të themi asgjë në të mirën e Kosovës sepse ky mit i krijuar dhe premtimet që janë dhënë realisht janë përkthyer në asgjë tjetër përveç se një pushtet autokratik dhe populizëm dhe luftë propagandistike ndaj kundërshtareve politikë por asgjë konkrete në kuptimin e përmirësimit të jetës dhe realizimit të premtimeve të dhëna në fushatat elektorale”, u shpreh Abazi.