Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë diskutimit për Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, iu tha deputetëve që nëse kanë nevojë për kohë për shqyrtim shtesë, mund të vijnë pas një jave apo dhjetë ditësh për një lexim të dytë të këtij projektligji.
“Ju lus ta keni parasysh që e kemi një ligj, nuk ka kush që i interesojnë temat e Kosovës e që nuk na intereson koha që mos me mbetë gjërat në vakum. Nëse ju duhet një javë kohë… ne kemi kërkuar mirëkuptimin e juaj që të mos krijojmë vakum .nëse ju vynë një javë ditë, 10 ditë, mund të vijmë në një etapë tjetër për lexim të dytë.
“Ju kisha lutë mos me hupë mundësinë që në lexim të parë ta trajtojmë sot, e pastaj që nëse ju vynë një javë ditë po vendosim bashkë”, tha Haradinaj.
Frashër Krasniqi, nga PSD-ja, e konsideroi jokorrekte nga ana e kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë referimit të vendimit të Kryesisë së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Ka po ashtu problemin e njëjtë me partitë e tjera opozitare lidhur me procedurën e përshpejtuar por edhe kemi probleme me anën përmbajtësore. Mendojmë që është shumë jokorrekte nga ana e kryeministrit dhe ministrit që i referohet vendimit të Kryesisë së Kuvendit. Duke pasë parasysh që është diskutu vetëm për zëvendësimin e gjykatësve të EULEX-it e jo për një projektligj të plotë. Ka një huti të pashpjegueshme për këtë punë”.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, propozoi që projektligji të kalojë në lexim të parë dhe t’i jepet kohë një ose dy javë komisionit për shqyrtim shtesë.
“Propozoj që ta kalojmë në lexim të parë, t’i jepim një javë – dy javë komsionit kohë për shqyrtim shtesë dhe ta përfundojmë brenda korrikut, sepse kemi të bëjmë vetëm me riorganizimin dhe përfundimin e mandatit të EULEX-it”.
Shkumbin Demalijaj, nga AAK propozoi që të vazhdohet me procedim.
“Lidhur me gjithë historikun që kemi ardhë këtu mund të them se me arbitraritet e ka trajtu këtë projektligj nuk e ka futë në rend dite hiç. Duke e shfrytëzu të drejtën e të qenurit kryetare e komisionit ka futë pika të jashtëligjshme e nuk e futë projekligjin që ka pasë me ardhë në Kuvend. Propozoj që të vazhdojmë me procedim dhe të kalojmë në pranim dhe t’i japim mundësi komisionit për amendamentim në mes të dy leximeve”.
Bilall Sherifi, nga NISMA, e pranoi se janë dakorduar për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme edhe pse nuk e kanë pasur në tërësi projektligjin.
“Ne në kryesi kur është trajtu kërkesa e kryeministrit për seancë të jashtëzakonshne të gjithë kemi qenë dakord… është e vërtetë se nuk e kemi pasë në tërësi projektligjin, por unë nuk shoh që jemi në fazën e ngritjes së problemeve. Sa i përket projektligjit jemi hale në fazën procedurale dhe nëse jemi në atë përmbajtësore edhe kolegët që kanë thënë se brenda 2 tri jave ta shqyrtojmë”.