Kuvendi i Kosovës e ka shqyrtuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Në fjalën e tij, Abelard Tahiri i PDK-së tha se ky projektligj e cenon në thelb dhe e dëmton jashtëzakonisht shumë punën e administratës tonë publike.
“Sot po i hapni me mijëra konkurse, doni t’i emëroni njerëz të cilën doni t’ju bëjnë argatin tuaj dhe do ta prishni cilësinë në administratë publike, gjë e cila do të ndikojë në qeverisjen tuaj dhe ato të ardhshme”.
Para deputetëve ai shtoi se shërbimi civil në Kosovë ka qenë storie e suksesshme dhe bëri thirrje që të tërhiqet projektligji e të mos kalojë në lexim të dytë, sepse përndryshe paralajmëroi se PDK nuk do të merr pjesë fare në votim.
Kundër këtij projektligji u deklarua edhe Driton Selmanaj i LDK-së, i cili u shpreh se ky është shembulli eklatant që kjo qeveri do që ta shkatërrojë një sistem që është ndërtuar në Kosovë vite më parë.
“Me këtë ligj bëhet diferencimi i administratës shtetërore. Askush më në Kosovë nuk është i sigurt që pas katër vjetësh do të jetë pjesë e administratës së shtetit. Me këtë ligj po i riktheni kontratat mbi vepër. Është përpjekje për ta politizuar skajshmërisht administratën e shtetit. Është përpjekje për ta shkatërruar sistemin. Jam i bindur që 90% e deputetëve nuk e kanë lexuar këtë projektligj që doni ta votoni sot. Nuk po them që nuk është abuzuar edhe në të kaluarën me administratën e shtetit mbi bazat e interesave politike, por se paku sistemi nuk është prekur, e ju tash po e prekni edhe rregullimin ligjor, që është vlerë e vendeve demokratike”.
Anëtari tjetër i opozitës, Besnik Tahiri i AAK-së po ashtu me anë të fjalimit të mbajtur para kolegëve të tij deputetë tha ligj në fjalë në thelbin e vet e varros meritokracinë në shërbimin publik në administratën shtetërore.
“Cili është motivi i një zyrtari/zyrtareje të shtetit që të rrijë dhe të mendojë për karrierën e vet kur karriera e tyre në ngritje në administratën publike varet prej partisë në pushtet, sot është Vetëvendosje, nesër janë partitë tjera”.
“Me miratimin e këtij ligji asnjë ministër në dikaster të vetin nuk do të mund të thotë kur i shkon një emër prej partisë, të thotë se është e kundërligjshme. Secili drejtor që sot e ka mandatin e tretë apo të katërt ai është në presion se a do t’i vazhdohet kontrata”.
“Kjo është goditja më e madhe që i jepet sistemit meritokratik të shtetit në emër të gjakut të ri dhe në emër të gjeneratave të reja. Kthehuni prapa, përndryshe jeni duke e bërë një dëm shumë të madh”.