Partia Demokratike do të vijojë protestat kundër qeverisë deri në largimin e Kryeministrit Rama.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi në selinë blu, Kolegjin e kryetarëve, me të cilët diskutoi strategjinë organizative të PD-së për zhvillimin e protestave.
Gjatë diskutimeve me drejtuesit e degëve, Basha ka kërkuar që të gjithë strukturat të jenë në gatishmëri për të protestuar kundër Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Mbledhja e Kolegjit të kryetarëve në PD erdhi menjëherë pasi shumica përcaktoi të enjten si ditën kur do të zhvillohet seanca plenare e kësaj jave. Burime nga takimi i Bashës me drejtuesit lokalë të PD-së në rrethe sqarojnë se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse do të ketë protestë të enjten.
Sipas të njëjtave burime, besohet se demokratët mund të zhvillojnë një protestë këtë të shtunë, ndërkohë që do të nisë menjëherë puna për zhvillimin e një tjetër proteste kombëtare, që do të zhvillohet në mesin e muajt prill.
Datat të cilat janë diskutuar në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve të PD-së janë 13 dhe 20 prilli, por vendimi final pritet të merret pas mbledhjes së Kryesisë së PDsë dhe konsultave me aleatët. Pas takimit me drejtuesit lokalë të PD-së, Basha garantoi se protestat e PD-së nuk do të ndalen, por do të jenë të vazhdueshme.
“Ishin takime organizative, protestat do të vazhdojnë dhe do të fuqizohen nga dita në ditë, nga java në javë, derisa të realizojmë atë që do çdo shqiptar. Zgjedhje të lira, të ndershme dhe një qeveri nga populli dhe për popullin”, sqaroi Basha.
Pas protestës së 16 marsit, kryetari i opozitës paralajmëroi se tubimet e opozitës nuk do të ndalen, por do të jenë të përditshme. Përmes një thirrjeje të fortë, kreu i PD-së kërkoi nga qytetarët të reagojnë me forcë përpara atyre, që ai i cilësoi si kriminelë dhe horra të pushtetit.
“Pengesa e vetme është kjo qeveri kriminale dhe kryehajduti. Ka pesë javë që nuk gjen vrimë miu të fshihet, sa herë që shqiptarët bashkohen. Le ta bëjmë bashkimin tonë dhe protestën tonë të përditshme e të përnatshme, zjarr t’u digjet toka kriminelëve nën këmbë. Ditë për ditë e natë për natë në aksion qytetar, në protestë, në qëndresë, në përballje. Mos e ktheni faqen tjetër kur ju godasin horrat e pushtetit, por goditini mbrapsht. Qëndroni fort, të qëndrojmë të bashkuar”, u shpreh kreu i opozitës